Opinione / Editoriale

Njëherë zgjedhjet, pastaj jeta


Bordi Editorial

Dhuna në kohë fushate dhe sidomos kur afrohet dita e zgjedhjeve, nuk është e paqëllimtë, as e pazakontë.

Studiuesit e Shkencave Politike, në shumë studime, kanë nxjerrë përfundime se ndër ndjenjat që mobilizojnë më së shumti është zemërimi.

Njerëzit e zemëruar dalin dhe votojnë. Thjesht duhet t’u orientohet drejtimi i zemërimit.

Një nga metodat për të zemëruar është dhuna – sa më brutale ajo, aq më i madh zemërimi.

David Muchlinski, profesor i shkencave politike në Universitetin e Georgia-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur fliste për dhunën elektorale me motive politike, merrte shembull Filipinet. Aty njerëzit marrin direktiva të drejtpërdrejta për sulme në kohë zgjedhjesh.

Por, në Filipine kufiri mes politikës dhe dhunës është i turbullt dhe i paqartë – në Shqipëri supozohej se nuk është, apo nuk ishte.

Muchlinski, duke bërë një induksion, tregon se në përgjithësi ideja rreth dhunës në zgjedhje është e njëjtë, porse ajo përdoret vetëm kur kuptohet se asnjë nga metodat e tjera alternative nuk do të bëjë më punë.

A ka dikush që e shpjegon ngjarjen në Elbasan jashtë këtij perimetri të të menduarit dhe jashtë kësaj metode të njohur në vendet me kuazi-demokraci?

A ka shpjegim ky episod pa variablat e ditëve të fundit të dhëna si deklarime të presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili literalisht u kërkonte shqiptarëve “t’i mbrehin sfurqet, kosoret e sëpatat”?

Kush mund të flasë për këtë rast, këtë vrasje, pak para zgjedhjeve, pa e paramenduar imazhin prej kasapi të presidentit që fliste për “prerje duarsh”?

Dhe pas ngjarjes, heshtje. Sepse heshtja është mundësia e vetme për të mos lejuar tradhtinë nga e pavetëdijshmja. Meta dhe Basha sot kanë folur për gjithçka – edhe për çmimin e perimeve. Por, jo edhe për vrasjen.

Askush nuk flet, sepse frika nga perceptimi publik ndaj asaj që do të thuhet kushton sa zgjedhjet. Heshtja është më e sigurt – më shumë se një jetë madje.

Dhe, në kalkulimin e të çmendurve pas votës që siguron pushtet, në çdo përllogaritje zgjedhjet i mbivendosen jetës.


Lajmet kryesore