Shqipëria

Miratohet ngritja e Komisionit Hetimor për 25 prillin


Është miratuar ngritja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, të enjten e 14 tetorit, në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Ngritja e Komisionit Hetimor për përdorimin e administratës për zgjedhjet e 25 prillit u votua me 123 vota pro, zero kundër dhe asnjë abstenim.

Sakaq, Kuvendi ka rrëzuar ngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”, me 46 vota pro dhe 77 kundër.

Kërkesa për ngritjen e komisionit

Ka qenë nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e cila të premten e 1 tetorit bëri me dije se si Grup Parlamentar ka depozituar zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor mbi çështjen “Becchetti”.

Ajo tha se qëllimi qëndron që paratë të mos paguhen nga taksat e qytetarëve, por nga “ata që në të vërtetë shkaktuan dëmin, qeveria”.

Sipas saj, kjo çështje nisi për politikë dhe sot rezulton në tri dëme të mëdha.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma
Çështja “Agon Channel”

Më 5 prill 2013, një televizion i ri privat u themelua në tregun mediatik shqiptar. Me një investim gjigant, ra në sy marrja e shumë personazheve mediatike në djepin e Agon Channel.

Zyrtarisht, transmetimet filluan në dhjetor 2014. Mirëpo, ato zgjatën pak. Më pak se një vit.

Në 2015-n, kryeministri Edi Rama ngriti akuzën e pastrimit të parave ndaj biznesmenit italian.

Asetet e tij financiare u ngrinë. Vazhdimësia e Agon Channel-it ishte e pamundur.

Agon Channel u konsiderua si një nga kanalet më të njohura televizive në vend, i cili po bënte çdo ditë hetime kundër qeverisë së Ramës, duke treguar skandale të ndryshme që përfshinin Qeverinë shqiptare.

Çështja “Becchett”-i vazhdon ende të procedohet në gjykatat ndërkombëtare.

Nga ai çast, Becchett-i e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane, më 21 tetor 2015. Kjo e fundit, më 24 prill 2019, e deklaroi fitues atë, duke vendosur një dëmshpërblim prej 110 milionë eurosh, si masë ndaj Shqipërisë.

Ndërkohë, Republika e Shqipërisë e kundërshtoi vendimin e arbitrazhit dhe refuzoi t’i paguante detyrimet.

Nëse do të marrë realisht efekt, kjo do të jetë gjoba më e madhe mbi shtetin shqiptar.

Në komisionin për ‘Becchetin’ ka qenë vetë opozita dhe aleatët e saj që nuk e kanë votuar në Kuvend.

Çështja për Inceneratorët

Më herët, gjatë ditës së sotme, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar në seancën plenare në Kuvend që votimi për Komisionin Hetimor për Inceneratorët të shtyhet për në seancën e radhës.

Kjo kërkesë u mirëprit nga Partia Demokratike (PD).

Balla u shpreh se kjo kërkesë lidhet me saktësimin e objektit të hetimit.

“Lidhur me procedurat e ndjekura për impiantet e trajtimit të mbetjeve, dua të informoj se kemi komunikuar me PD-në për të detajuar objektin e punës hetimore në Komision. Do të doja që votimi të shtyhet në seancën pasardhëse, me besimin se, deri në seancën e radhës do ta kemi detajuar plotësisht objektin e hetimit”, tha Balla.

Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha se ka pasur një tentativë të qartë të PD-së për të penguar ngritjen e Komisionit Hetimor, duke theksuar se janë dakord që votimi të shtyhet për javën tjetër.

“Sot jemi informuar për një kërkesë të grupit të PS-së  dhe ne biem dakord që votimi i këtij Komisioni të shtyhet për javën tjetër”.

Të dyja këto komisione hetimore janë kërkuar nga Partia Demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore