Lajme

Ministrja Nagavci shkarkon Këshillin Drejtues të Universitetit të Gjilanit


Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

Ministrja e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka shkarkuar Këshillin Drejtues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Sipas këtij vendimi, të shkarkuarit janë Ibrahim Kosumi, Yllka Behluli dhe Violeta Abazi-Huruglica.

Ndërsa në vend të tyre, ministrja Nagavci ka emëruar Florian Qehajën, Agron Hajdarin dhe Jeta Pajaziti-Doli.

Sipas saj, shkarkimi i tyre ka ardhur duke u mbështetur në raportin e punës, gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm, të reflektuara me mos efikasitet apo sjelljeve të cilat paraqesin dështim, refuzim, shpërfillje, paaftësi të vazhdueshme për t’i përmbushur detyrat e postit që ushtron.

Në vendim thuhet se pala e pakënaqur në këtë vendim, ka të drejtë ankese në MASHTI në afat prej 15 ditësh.

Me një prill, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërije Nagavci e ka shkarkuar anëtarin e bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Binak Beqaj, të cilin e kishte emëruar ish-ministri, Ramë Likaj.

Kurse, më katër shkurt, tre anëtarët ndërkombëtarë, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo si dhe dy anëtarët vendor, Gazmend Luboteni, Vjollca Krasniqi, kanë dhënë dorëheqje nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Vendimi për shkarkimin e Këshillit Drejtues të Universitetit Publik “Kadri Zeka”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore