Lajme

Ministri Neshiç: Bosnja e Hercegovina së shpejti do të ratifikojë tri Marrëveshjet e Procesit të Berlinit


Nenad Neshiç

Ministri i Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Nenad Neshiç, ka thënë se Sarajeva zyrtare shumë shpejtë do të ratifikojë tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit që kanë të bëjnë me lëvizjen vetëm me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

“Unë jam për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe të gjithë duhet të lejohen të udhëtojnë”, ka thënë Neshiç, për Radio Evropën e Lirë në gjuhën serbe duke shtuar se dialogu dhe marrëveshja janë të nevojshme.

Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të vetmit shtete në Ballkanin Perëndimor të cilët kanë ratifikuar tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit. Ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina momentalisht janë dy shtetet penguese që këto tri marrëveshje, që do të lehtësonin udhëtimin, studimin dhe punën për qytetarët të cilat u nënshkruan me 3 nëntor të vitit të kaluar të hyjnë në fuqi.

Megjithatë ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një prononcim ekskluziv për Albanian Post, kishte bërë të ditur javë më parë se Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si të vetmet shtete në Ballkanin Perëndimor të cilët aktualisht kanë ratifikuar tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit do të fitojnë të drejtën që nga 1 qershori të përfitojnë nga benefitet e këtyre tri marrëveshjeve.

Marrëveshjet janë nënshkruar bashkërisht nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por mos ratifikimi i tyre nga Mali i Zi e Bosnja & Hercegovina nuk i pengon dot shtetet tjera që i kanë ratifikuar marrëveshjet të vazhdojnë me fazën implementuese.

Jo funksionaliteti i parlamentit malazez për shkak të situatës politike atje dhe destruktiviteti i presidentit të entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, nuk mund të pengojnë dot, sepse protokollet e marrëveshjeve në fjalë saktësojnë se nëse minimumi tri shtete depozitojnë konfirmimin e ratifikimit, pranimit ose miratimit, marrëveshjet e mobilitetit bëhen të vlefshme për shtetet që kanë bërë depozitimin.

Një gjë e tillë specifikohet edhe në nenin 21 të protokollit, pjesë integrale e secilës marrëveshje, derivat i Procesi të Berlinit, ku shkruhet se “marrëveshjet do të hyjnë në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të njoftimit të tretë (tri shtete) formal të ratifikimit, pranimit ose miratimit për Palët që kanë depozituar njoftimin e tyre formal të ratifikimit, pranimit ose miratimit”.

Pra sipas nenit 21, Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut janë të mjaftueshme për të plotësuar kushtet formale që Marrëveshjet e Mobilitetit të nisin të zbatohen në këto shtete.

Procesi i Berlinit: Më në fund janë plotësuar kushtet e aneksit, me 1 qershor fillon implementimi i Marrëveshjeve për Letërnjoftime, Diploma dhe Vende Pune

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore