Shqipëria

Meta për 1 Majin: Shqipëria, me nivelin më të ulët të pagës në rajon


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në median sociale Facebook ka shkruar për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maji.

Në postimin e tij, kreu i shtetit shkruan se kjo ditë e gjen Shqipërinë me “nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Evropë”.

Meta, gjithashtu, ngre problemin e largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar nga vendi. Ky fenomen, sipas tij, vjen si pasojë e “mungesës së të ardhurave të mjaftueshme, të kushteve më të mira e më dinjitoze të punës dhe pa shpresë për një të ardhme të afërt më të sigurt”.

Më tej, presidenti shkruan se edhe tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia ndikuan në mbylljen e mijëra vendeve të punës dhe, rrjedhimisht, te të ardhurat e familjeve shqiptare.

“Tërmeti dhe pandemia, me efektet e tyre negative dhe afatgjata në ekonomi, mbyllën me mijëra vende pune, kryesisht biznese të vogla e të mesme, duke e dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të punëtorëve të thjeshtë, thelluar ndjeshëm mjerimin në shoqëri dhe frenuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, thotë ai.

“Propaganda e të ushqyerit me lugën bosh dhe e suksesit ekonomik me video 3D”, akuzon Meta, rendit Shqipërinë në vendin e dytë pas Gjermanisë. Por, sipas tij, realiteti është ndryshe, pasi një numër i madh i personelit mjekësor “po zhvendosen në Gjermani dhe në vende të tjera të BE-së për një jetë më të mirë”.

“Ndërsa kjo situatë duhet të shërbejë për një reflektim të thellë dhe kur niveli i popullsisë që jetojnë me 5.5 USD/ditë është rritur me 41.5% është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të dëgjuar zërin e punëtorëve, duke rritur mirëqenien dhe drejtësinë sociale të munguar”, mbyll shkrimin e tij presidenti Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore