Lajme

Mesazh i ashpër nga ambasada e ShBA-së për Dodiku’n: Ai është i turpëruar, po e vë në hipotekë të ardhmen e RS-së


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë, këtë të shtune ka lëshuar një deklaratë për media, pasi që presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik, ka mohuar përsëri gjenocidin në Srebrenicë, duke e cilësuar si të “turpëruar”, dhe se “po e vë në hipotekë të ardhmen e RS-së”.

“Komentet e vrazhda, plot paragjykime për Srebrenicën dhe tema të tjera të ndjeshme nuk i ndihmojnë qytetarët e Republikës Srpska”, theksuan nga ambasada e ShBA-së në BeH, transmeton media boshnjake Oslobodenje.

Në deklaratën e tyre ata i kujtuan Dodik-ut faktet që janë të vërtetuara kur bëhet fjalë për gjenocidin në Srebrenicë.

“Presidenti Dodik, si gjithmonë, e ka gabim kur pretendon se gjenocidi nuk ka ndodhur në Srebrenicë dhe përreth tij në korrik 1995. Faktet e kësaj tragjedie mbështeten nga prova të patëmetë mjekoligjore dhe prova të tjera dhe janë vërtetuar pa asnjë dyshim nga gjykatat ndërkombëtare: elementë të Ushtrisë së Republikës Srpska, nën komandën e Ratko Mlladiç dhe direktivën politike të Radovan Karaxhiç-it, kryen gjenocid, dhe ata janë kriminelë lufte”, potencoi Ambasada Amerikane.

Ndërkaq, ata nënvizuan se “për këtë dhe krime të tjera të luftës të kryera gjatë periudhës së agresionit kundër Bosnje e Hercegovinës, fajin e kanë autorët dhe jo një grup i vetëm etnik”.

Këto fakte, ambasada amerikane, thotë se nuk mund të ndryshohen me mohimin e Dodik.

Ndryshe, forcat e Ushtrisë RS në dhe rreth Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinën lindore vranë 8 mijë 372 burra dhe djem të kombësisë joserbe.

Më shumë se 25 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona e atëhershme e mbrojtur nga Kombet të Bashkuara.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime në Srebrenicë.

Para Gjykatës së Hagës, por edhe gjykatave vendore, këto krime janë cilësuar si gjenocid.

Po ashtu, Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, është shprehur i zhgënjyer pas deklaratave të presidentit të sapozgjedhur malazez, Jakov Milatoviç, për masakrën e Srebenicës.

“Gjykata Ndërkombëtare ishte shumë e qartë dhe mori një vendim kur është fjala për Srebrenicën”, deklaroi Milatoviç.

Mirëpo, me këtë nuk pajtohet presidenti autoritar i RS, i cili tha se Milatoviç “po e gjykon Srebrenicën njëjtë sikur presidenti i deritanishëm malazez”, Milo Gjukanoviç.

“Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, gjykon Srebrenicën në të njëjtën mënyrë si paraardhësi i tij. Duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare dhe duke mos përmendur rezistencën e serbëve për të pranuar një krim që nuk e kanë kryer”, pretendon Dodik.

Tutje, Dodik tha se “Milatoviç’-i zgjodhi t’i bëjë lajka Sarajevës pa hezituar të ofendojë serbët dhe Republikën Srpska. Është turp, mendova se politika antiserbe në Mal të Zi u mund”.

Ndër të tjera, pasi që kreu malazez potencoi këtë të premte se në Srebenicë është kryer gjenocid, Dodik beson se ai “nuk do të bëhej kurrë president i Malit të Zi pa votat e serbëve dhe ky fakt e detyron atë që të kishte konsideratë minimale për atë elektorat”.

“Unë ende mendoj se Milatoviç është një zgjedhje më pak e keqe se Gjukanoviç, por ai është gjithashtu një kundërshtar më pak i vështirë për t’u zëvendësuar se Gjukanoviç. Herën tjetër që të votojnë në Mal të Zi, serbët duhet të dinë se për kë dhe për çfarë politikash po votojnë. Është e qartë se kësaj radhe kanë votuar kundër Gjukanoviç-it dhe jo për Milatoviç-in, shtoi ai.

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, është shprehur këtë të premte se qëndrimi i tij për gjenocidin në Srebrenicë është shumë i qartë dhe shtoi se ai i dënon të gjitha krimet që kanë ndodhur.

“Gjykata Ndërkombëtare ishte shumë e qartë dhe mori një vendim kur është fjala për Srebrenicën. Është shumë e rëndësishme që Gjykata Ndërkombëtare diku e individualizoi gjenocidin në Srebrenicë”, tha Milatoviç për Al Jazeera Balkans.

Në bazë të këtyre fakteve, kreu i sapozgjedhur malazez potencoi se qëndrimi i tij është shumë i qartë, dhe tha se “edhe parlamenti malazez ka miratuar një rezolutë kur është fjala për Srebrenicën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore