Lajme

“Menaxhmenti i aeroportit Ndërkombëtar në Prishtinë, shkaktar i tollovisë”


Aeroporti Ndërkombëtare i Prishtinës, “Adem Jashari”

Fluks i madh i qytetarëve po kthehen pas pushimeve në Kosovë, kjo ka bërë që ditëve të fundit të shkaktohet tollovi e madhe në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Ndërkaq, lidhur me këtë situatë, ka reaguar sindikata e punonjësve të Aeroportit “Adem Jashari”, duke e fajësuar menaxhmentin për këtë gjendje në aeroport.

“Shkas për këtë reagim është tollovia e shkaktuar në ANP “Adem Jashari” në Prishtinë, nga pasagjerët shumicën dërmuese të këtyre pasagjerëve e përbëjnë diaspora jonë. Ne na vjen keq për maltretimet që përjetojnë ata”, thuhet në komunikatën e sindikatës së punonjësve të Aeroportit “Adem Jashari”.

Sipas kësaj sindikate pasojat e këtyre grumbullimeve po i bartin punëtorët.

“Por, kjo tollovi nuk është shkaktuar me fajin e punëtorëve, ndërsa fatkeqësisht pasojat po i bartin punëtorët, siç patëm një sulm fizik ndaj një punëtori. Fajtori dihet, është Menagjmenti i ANP-ës, atje duhet të kërkohet llogari jo tek punëtorët”.

Në mungesë të stafit, FSPKLK thotë se punëtorët aktual të Aeroportit të Prishtinës, janë stërngarkuar me orare.

“Ju tërheqim, vërejtjen Menagjmentit dhe Institucioneve dhe kërkojmë urgjentisht trajtim të punëtorëve sipas ligjit, ndaljen e presioneve ndaj tyre, kthimin e punëtoreve të larguar jashtë ligjshëm nga vendet e tyre të punës, lejimin e sindikatës ta ushtroj veprimtarinë në selinë e vetë në ANP-ë, punëtoret janë të stërngarkuar me punë duke u angazhuar me nga 12 e ka raste deri në 14 orë punë”.

Po ashtu, më 6 gusht, është sulmuar fizikisht një punonjës i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Sulmi ndaj punonjësit është kryer gjatë kohës sa po shërbente ai në punë.

Në aeroport janë vetëm dy punonjës në shërbimin e “check-in” gjë që kjo krijon pritje, vonesa dhe mundësi për tollovi.

“Vetëm dy punonjës në chech-ik shërbejnë një aeroplan, gjë që është jashtëzakonisht pak, andaj edhe vonesat eventuale që mund të shkaktohet janë pikërisht për këto arsye”, kishte bërë të ditur kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi.

Ndërsa, më 23 korrik, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, është shënuar një rekord i ri i fluturimeve gjatë së premtes, me gjithsejtë 130 fluturime të planifikuara të realizohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore