Kosova

Masat e BE-së, Haradinaj: Shkarkimi i Kurtit, interes kombëtar


Kryetari i Aleances per Ardhmerine e Kosoves, Ramush Haradinaj.

“Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, ka thënë Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si pasojë e refuzimit të qeverisë për t’i zbatuar kërkesat e tyre për de-pëshkallëzimin e situatës në Veri.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se “i vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit”.

“Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”, shkroi ai në Facebook.

Duke pasur parasysh këto, kreu i AAK-së shtoi se tani “është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie”.

“Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi”, potencoi ish-kryeministri i Kosovës.

Ndryshe, edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se është “koha e fundit për një rrugë të re pa (Albin) Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, pas masave të Bashkimit Evropian ndaj Prishtinës, si pasojë e refuzimit të qeverisë për t’i zbatuar kërkesat e tyre për de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke renditur sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, theksoi se të njëjtat tregojnë avancim për Serbinë.

“Pezullim i fondeve të BE-së; Pezullim i MSA-së, Pezullim i takimeve të nivelit të lartë, Pezullim i vizitave bilaterale”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se “sanksione Kosovës, avancim për Serbinë”, teksa pyeti “si qenka kjo fitore për ne?”.

“Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta”, pohoi ai duke iu referuar përjashtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga stërvitja ushtarake “Defender 23”, si pasojë e parë ndaj Kosovës për mos de-eskalimin e situatës në Veri.

Ndërkaq, kreu i LDK-së theksoi se “teksa ne humbasim nga programi 7.5 miliardësh për zhvillim dixhital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj”.

“Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi”, shtoi ai.

Masat e BE-së, Abdixhiku: Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore