Lajme

Marketingu i Albulena Haxhiut me Institutin për Krime Lufte – as pas 5 muajsh s’e kanë votuar Projektligjin në Kuvend


Foto: Albanian Post.

Nga 14 shtatori i vitit 2022 kur u votua si projektligj në Qeverinë e Kosovës, nisma për të themeluar Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë nuk është materializuar pasi nuk shkoi asnjëherë për lexim të dytë në Kuvend.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu – që e reklamoi si një nga punët e saj të mëdha dhe tha se Projektligji përcakton themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit dhe i cili do të funksionojë si Agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit – nuk e ka shtyrë më përpara.

Në fakt, Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës me fushë veprim, anëtarë e platformë u themelua në vitit 2011. Ideja ishte që të ndihmonte në dokumentimin e krimeve të luftës.

Instituti kishte edhe statutin e vet, por edhe pati grumbulluar dokumente dhe ishin bërë edhe publikimet e para.

Gjithsesi, Haxhiu argumentonte se tani ishte ndryshe, meqë do përbënte ligj të veçantë. Por, Ligji s’duket gjëkundi dhe Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, në një bisedë për Albanian Post, e konsideron si të ngadalshme punën e Qeverisë së Kosovës, meqë për të është e çuditshme se si pas dy vjet qeverisje e kaq muajsh nisje të procesit, qeveria e Vetëvendosjes s’ka arritur dot ta funksionalizojë, derisa e proklamonte si një synimet kryesore.

Përveç dëshirë, ajo thotë se themelimi i këtij instituti në këtë kohë është edhe nevojë, sepse më vonë mund të paraqiten probleme të shumta.

Ministria e Drejtësisë.

“Pas ardhjes se kësaj Qeverie menjëherë është dashur të themelohet sepse koha është e çmuar, provat humbasin, dëshmitarët vdesin, prandaj është urgjente që të veprojnë sa më shpejt”, thotë Salihu për AP.

Ai ishte edhe i punësuar për gjashtë vite në institutin kur ishte bërë herën e parë në vitin 2011, prandaj e di mirë rëndësinë e tij.

“Krijimi i tij ka qenë i domosdoshëm qysh nga pas lufta. Instituti ka për detyrë t’i mbledh të gjitha faktet, provat, evidencat për krimet që kanë kryer forcat policore paramilitare në Kosovë, kjo është një obligim njerëzor, human, ndaj atyre viktimave të pafajshme”.

Prandaj, shton se mos rikrijimi i këtij Instituti, “është dështimi më i madh i qeverive të deritanishme”.

Edhe për avokatin Artan Qerkini, themelimi i këtij Instituti është një urgjencë, pasi rëndësia e tij është e madhe.

“Themelimi i Institutit për Krime Lufte, është i rëndësishëm sepse i njëjti do të jetë në funksion të dokumentimit të krimeve të luftës, viktimave të këtyre krimeve dhe në përgjithësi të pasojave që ka sjell lufta në raport me viktimat dhe familjet e tyre”, thotë Qerkini në një bisedë për Albanian Post.

Nga ky institut, sipas njohurive që ka Qerkini, dokumentimi i krimeve të luftës do të bëhet edhe përmes dëshmitarëve.

“Instituti do të ketë për synim dokumentimin e krimeve përmes dokumentacionit, por dhe dëshmitarëve që kanë pësuar si pasojë e këtyre krimeve”.

“Në fushëveprimin e Institutit, duhet të jetë edhe organizimi i konferencave shkencore me temë krimet e luftës dhe pasojat e tyre në jetë e viktimave”.

Lidhur me punën e Ministrisë së Drejtësisë dhe rikrijimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në institucionin e Drejtësisë, por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Çka u bë deri tani për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë?

Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, tregon për Albanian Post proceset gjyqësore që janë zhvilluar në këtë drejtim.

Sipas Alijat, sfidat janë të shumta e njëra ndër to është edhe mungesa e bashkëpunimit mes prokurorive të Kosovës dhe të Serbisë.

“Këto sfida përfshijnë ndikimin te dëshmitarët, mungesa e bashkëpunimit midis prokurorive të Kosovës dhe Serbisë, koha (me kalimin e kohës kujtesa zbehet, dëshmitarët dhe të dyshuarit vdesin), mandatet e kufizuara të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, numri i pamjaftueshëm i prokurorëve vendas dhe personelit ndihmës të angazhuar në hetimin e krimeve dhe së fundi, gjykimet në mungesë”.

Si njohës i kësaj çështje dhe raportues i vazhdueshëm lidhur me ngjarjet për krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, ai ka një kërkesë ndaj Qeverisë, në rast se dëshirojnë që ky proces të përfundohet me sukses.

“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë të fusë ndër çështjet prioritete në agjendën e negociatave të saj të ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë, vendosjen e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar përmes nënshkrimit të protokolleve të bashkëpunimit midis autoriteteve të prokurorisë speciale të Kosovës dhe Serbisë”.

Ai bën të ditur se “në total, rreth 215 persona janë akuzuar për krime lufte në Kosovë nga të gjitha këto institucione dhe vetëm 71 janë dënuar”.

Përveç kësaj, mungesë ka edhe tek prokurorë. Pavarësisht që mjetet financiare për shtimin e tyre janë ndarë, një veprim i tillë akoma nuk ka filluar të zbatohet.

“Në departamentin për krimet e luftës në kuadër të PSRK janë angazhuar diku 4 ose 5 prokurorë me hetimin e krimeve të luftës. Një vit më parë qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për shtimin e katër (4) prokurorëve shtesë. Ky departament ende duhet të fuqizohen me staf mbështetës dhe prokurorë”.

“Ata kanë nevojë për trajnimet të vazhdueshme në fushën e krimeve të luftës”.

Procesi gjyqësor për krimet e luftës në Kosovë

Alija, sqaron edhe procesin gjyqësorë për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë ndër vite.

“Tribunali Penal Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë, TPNJ (i cili ishte funksional nga 1993-2017) dhe gjykatat vendase në Kosovë, duke përfshirë misionin e OKB-së UNMIK (2000-2008) dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit EULEX (2009-2018), të gjithë kanë qenë të përfshirë në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”.

“Nga qershori 2014, gradualisht filloi transferimi i kompetencave nga EULEX te prokurorët vendorë. Në maj të vitit 2015, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, u krijua Departamenti për Krime Lufte”, thotë ai.

Krimet serbe në Kosovë.

Pas një kohë, me këtë proces në Kosovë kishin filluar të merreshin Gjykata në Kosovë, duke krijuar departamente të veçanta.

“Sipas Ligjit të ri për Gjykatat në Kosovë, që nga janari i vitit 2019, janë krijuar departamente speciale në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe Gjykatën e Apelit, të cilat janë në gjendje të gjykojnë rastet e krimeve të luftës në nivel kombëtar”.

Edhe në gjykatat e Serbisë dhe Malit të Zi janë zhvilluar edhe disa procese gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

Në total, rreth 215 persona janë akuzuar për krime lufte në Kosovë nga të gjitha këto institucione, edhe pse vetëm 71 janë dënuar.

Në rajon kjo çështje është e rregulluar

Instituti për Kërkimin e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë funksionon në kuadër të Universitetit të Sarajevës i cili është themeluar që nga viti 1992 si institucion publik kërkimor shkencor.

Kurse, në Kroaci, krimet e luftës hetohen nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës, në mënyrë të pavarur ose në koordinim me organet e tjera kompetente, si Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Shtetit ose Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore