Kosova

Maliqi: “Nëse Serbia i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, Kurti të jetë maksimalisht i kujdesshëm”


Publicisti dhe filozofi, Shkëlzen Maliqi

“Nëse Serbia tani i afrohet Brukselit duke sanksionuar Rusinë, [Albin] Kurti do të duhej të ishte maksimalisht i kujdesshëm në hapat që ndërmerr, duke u konsultuar me ShBA-në dhe Brukselin, dhe jo t’iu mbajë leksione atyre krye më vete”, ka thënë filozofi dhe publicisti, Shkëlzen Maliqi për Albanian Post.

Në kursin e dialogut Kosovë-Serbi, që tani ka marrë trajtë tjetër, Maliqi thotë se kryeministri i Kosovës, duhet të jetë më fleksibil.

“Të dy në procesin e dialogut kanë luajtur kartën e obstruksioneve dhe të prishjes së lojës, ku sidomos Kurti ia lehtësonte punën Vuçiçit me mosdëgjueshmëri ndaj faktorëve ndërkombëtarë që kërkonin arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi sa më parë”, shpjegon Maliqi.

Në lidhje me atë se a është një lexim i mirë i kryeministrit të Kosovës ajo që ky i fundit e parasheh si rrezik potencial të bartjes së një konflikti në Ballkan nga Rusia përmes Serbisë, Maliqi thotë se “ndoshta [Rusia] edhe e provon, por nuk ka gjasa të ketë sukses”.

“Ky është një lexim i mundshëm, por sipas meje me elemente skematike. Serbia është, edhe pse neve nuk na duket si e tillë, historikisht e përçarë në orientim; mëdyshjet se nga duhet të orientohet: nga Lindja apo Perëndimi. Dhe, kjo mëdyshje ngjizet nga pikëvështrimi i një mendësie që krishtërimi ortodoks e sheh të papajtueshëm krishtërimin katolik”.

“Putinizmi në Rusi ndërsen këtë papajtueshmëri në një dimension tjetër, ku luftohet demokracia liberale nga pozita e autoritarizmit carist. Bëhet fjalë për një delir të ringjallur të fundamentalizmave historik, kësaj here të proviniencës ortodokse, sikundër që para do kohe kemi parë edhe shpërthimin e fundamentalizmit islamik, që po kështu po luftonte civilizimin e degjeneruar perëndimor”.

“Nuk është se Perëndimi dhe bota liberale nuk ka pasur delire të ngjashme, si fashizmin dhe nacional-socializmin që ka bërë këprdi në shekullin njëzet. Por, ju e kishit pyetjen për gjasat që Rusia ta ndez Ballkanin për interesat e veta. Ndoshta edhe e provon, por nuk ka gjasa të ketë sukses”, ka shpjeguar filozofi Maliqi për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore