Lajme

Macron i kënaqur me reagimin e Kremlinit ndaj komenteve të tija: Ankthi rus tregon se kemi të drejtë


Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se është i kënaqur me reagimin e Kremlinit ndaj komenteve që ai ka bërë, duke thënë se asnjë mundësi për ndërhyrje ushtarake nuk duhet përjashtuar nga aleatët e NATO-s në këtë luftë.

Sipas Macron, fakti se ai ka folur mbi këtë gjë e ka bërë Rusinë të ketë ankth mbi situatën dhe të jetë e pavendosur për hapat e mëtejshëm që duhet të ndërmarrë, duke shtuar edhe faktin se reagimi rus është tregues i qartë se perëndimi ka të drejtë.

Më 3 maj, Moska reagoi mbi fjalët e Macron për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë, duke thënë se përfaqësojnë një “prirje shumë të rrezikshme”.

Dhe Moska vazhdon të “monitorojë nga afër” deklaratat e Parisit.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, cituar nga Interfax.

“Ne padyshim kemi hezituar shumë duke vendosur kufij në veprimet tona ndaj dikujt që nuk i ka më dhe që është agresori”.

Kështu ka deklaruar presidenti francez Emmanuel Macron, më 2 maj, duke shtuar se “unë kam një objektiv të qartë strategjik: Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë”.

Sipas tij, nëse Rusia fiton në Ukrainë, nuk do të kemi më siguri në Evropë.

“Kush mund të thotë se Rusia do të ndalet këtu? Çfarë sigurie për vendet e tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe shumë të tjera? Dhe, çfarë besueshmërie për evropianët që do të kishin shpenzuar miliarda, që do të thoshin se mbijetesa e kontinentit ishte në rrezik dhe që nuk do t’i jepnin vetes mjetet për të ndaluar Rusinë?”.

Pra, sipas tij, nuk duhet të përjashtojmë asgjë.

Komentet e Macron nuk janë të reja, duke marrë parasysh faktin se ai është i pari lider evropian, i cili artikuloi idenë e dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë në rast nevoje.

Madje, disa plane konkrete për vendosjen e trupave franceze në kufirin me Bjellorusinë janë pasqyruar më herët, edhe pse jo zyrtare nga Elysee-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore