Lajme

Letra e Kurtit drejtuar BE-së për zgjedhjet serbe në Kosovë: Në kërkesën e Beogradit s’përmendet Qeveria e Kosovës


Albin Kurti

“Zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë mund të mbahen në Republikën e Kosovës vetëm në përputhje me një marrëveshje ndërmjet dy Qeverive tona përkatëse”.

Kështu e kishte nisur letrën e tij Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtuar ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ku mes tjerash i pari i ekzekutivit ka radhitur një varg siç i ka quajtur ai vështirësish, lidhur me kërkesën e autoriteteve të Serbisë që Kosova të bashkëpunojë me OSBE-në për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Në letrën e tij dërguar ambasadorit Szunyog të premten 18 marsit, Kryeqeveritari ka vlerësuar se Beogradi në kërkesën e tij as që e përmend Qeverinë e Kosovës por, e quan atë “autoritet relevant qeverisës të Kosovës”.

Sipas Kurtit, është për keqardhje që derisa Kosova punon me BE-në dhe vendet e QUINT-it për të gjetur një zgjidhje të pranueshme ndërmjet dy qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të organizojnë zgjedhje në Kosovë sikur të mos ekzistonte Qeveria e saj.

“Dhe janë duke e bërë këtë me financim nga Beogradi, natyrisht. Kjo mbase është arsyeja pse propozimi (në paragrafin e tij të parë) përcakton se zgjedhjet “do të mbahen”, në vend që të kërkojë që të mbahen, duke e marrë kështu si të mirëqenë kompetencën e Beogradit për të vendosur në lidhje me territorin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit.

Kurti po ashtu ka theksuar se Beogradi në kërkesë e tij e përdor termin “votues me të drejtë vote” në vend se ta përdorte “votuesit jashtë vendit”.

Sipas tij, Beogradi po tregohet destruktiv në shumë aspekte, duke përmendur këtu moszbatimin e disa marrëveshjeve e po ashtu refuzimin e Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Federatës ruse.

“Për më tepër, kjo përpjekje për ta nënçmuar Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore, është duke ndodhur në një kohë kur Beogradi po tregohet destruktiv në shumë drejtime: duke refuzuar të zgjidhë problemin e mospagimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës; mungesa e marrëveshjes për targat e Kosovës dhe Serbisë; duke emëruar struktura ilegale si komisionerë zgjedhorë; duke përdorur mjete administrative për të kryer spastrim etnik kundër shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc përmes deregjistrimit të tyre si banorë; dhe duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së dhe ShBA-ve kundër Federatës Ruse për agresionin e saj ushtarak dhe pushtimin e Ukrainës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore