Lajme

LDK kërkon nga Qeveria shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së: Shtrenjtimin e rrymës Qeveria e shpërfaqi si rritje të lehtë


Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës shfuqizimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës sa më parë.

“Vendimi nuk është i drejtë, nuk merre për bazë përballueshmërinë e mbi të gjitha është diskriminuese ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas partisë në fjalë “propaganda” është mjet i këtij pushteti të “paaftë” dhe rritja rekorde e çmimeve të energjisë, si në asnjë vend tjetër në rajon u provua të shpërfaqej si një rritje e lehtë.

“Kryeministri, Qeveria e tij, na dhanë dje grafika përplot, por i dhanë për vetëm 1200 kilovatë orë konsum. Madje mburreshin me rritje prej 30 për qind, por s’vazhduan tutje këtë krahasim në përpjekje për të fshehur të vërtetën që s’fshihet dot në faturat e ardhshme”, vazhdon njoftimi.

Sipas LDK-së kushdo që ka paguar 90 euro në muaj deri para shtrenjtimit të rrymës tani me vendimin e ZRRE-së do të paguajë 130 euro.

“Kushdo që ka paguar 100 euro do të paguaj 150. Kushdo që ka paguar 150 euro do të paguaj 240. Dhe këtu nuk përfshihen mbi 100 milionë euro të tjera, taksa tuaja, para tuaja, që do të digjen në subvencion të padrejtë”.

“Kjo rritje, është pasojë e vonesës së reagueshmërisë së Qeverisë. Është pasojë e mos vullnetit të tyre për të shpërndarë barrën njësoj; e mbi të gjitha, është pasojë e apetiteve të tyre për të vjelë tatime edhe më shumë. Secili prej jush, përveç se do të paguani çmimin më të shtrenjtë të rrymës në rajon, do të paguani dhe TVSH më së larti për çdo kilovatë orë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore