Lajme

Lajçak pas largimit të barrikadave: Zgjidhet një problem, por tensionet mbesin të larta


Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një prononcim për revistën amerikane “POLITICO”, tha se me marrëveshjen për largimin e barrikadave në veri është zgjidhur një çështje, por mbesin të larta “tensionet dhe niveli i mosbesimit”.

“Besoj se e ka zgjidhur problemin, por tensionet mbeten të larta. Niveli i mosbesimit është më i lartë se kurrë më parë”, tha Lajçak.

Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme në këtë moment, sipas Lajcak-ut, është që të mos lejohet që situata të kthehet me një krizë tjetër.

“Është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi Lajçak.

Lajçak këmbënguli se këto përpjekje nuk do të pushojnë, duke thënë se afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje.

“Të dy liderët janë gati të takohen – problemi është rezultati”, tha Lajçak, i cili ka kryesuar shumicën e takimeve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë viteve të fundit.

“Dy takimet e fundit ishin në rregull për sa i përket atmosferës, por vizionet e dy liderëve nuk u përputhën”, vuri në pah ai.

Diplomati sllovak nënvizoi se afati i marsit për një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit është ideal dhe nëse nuk shfrytëzohet ky moment, mosmarrëveshja mund të zvarritet për dekada.

“Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë përsëri nga e para” paralajmëroi ai.

“Nëse i kthehemi krizës dhe përplasjeve, atëherë mund të harrojmë afatet”.

Ndryshe, pas gati një muaji disa serbë të maskuar kanë larguar barrikadat nga veriu i Kosovës të cilat i kishin vendosur në shenjë revolte pasi autoritetet kosovare patën arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohet për sulmin terrorist të 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë pjesë.

Megjithatë, lirimi Pantiç-it dhe dërgimi i tij në arrest shtëpiak si masë e zbutur nga ajo e paraburgimit, ishte ngjarja që i parapriu vendimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të urdhëruar largimin e barrikadave.

Nga kazerma ushtarake në Rashkë, ku zhvilloi takim me përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, ai pretendoi se tashmë i kanë të gjitha garancitë që kanë kërkuar, derisa për cilësimin e barrikadave si mjet paqësor nga ndërkombëtarët tha se ka bërë “luftë gjithë natën”.

Pas Rudarës, edhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore tanimë janë larguar barrikadat të cilat ishin vendosur më 27 dhjetor, ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se “kot u lodhën me barrikada, tash vetë po i heqin”.

Edhe Borrell konfirmon se pati marrëveshje për heqjen e barrikadave, falënderon Kurtin e Vuçiç-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore