Sport

Kyrian Nwabueze: Kategoria Superiore nuk është në planet e mia. Nuk kisha konkurencë.


Kyrian Nwabueze, ish-sulmuesi i Laçit është ndalur të flasë për emisionin “Zona Gol” rreth kohës që ishte pjesë e Kategorisë Superiore dhe për të ardhmen e tij.

Lojtari duket të ishte pjesë e Laçit deri në përfundim të këtij sezoni, por ka zgjidhur kontratën me klubin dhe është larguar.

“Futbolli kështu është, kur luan mirë, gjithçka shkon në rrugën e duhur, në të kundërt, gjithçka bëhet e vështirë. Ishte një zgjidhje e kontratës, dypalshe”, tha Nwabueze.

“Kisha disa gjëra për të cilat nuk ramë dakord, por kjo i përket të shkuarës”.

Amerikano-nigeriani është përfolur shpeshherë për probleme shëndetësore. Ai e pranoi se në të kaluarën ka pasur probleme me shëndetin, por tashmë ndihet mirë dhe nuk ka pengesa për të vazhduar futbollin.

“Është e vërtetë që në të shkuarën kam pasur problem shëndetësore, por aktualisht ndihem mirë”, tha sulmuesi.

“Unë kam besim te vetmja, nuk do të tërhiqem nga futbolli, për deri sa ndihem mirë do të vazhdoj të luaj”.

Nwabueze foli edhe për situatën që kalonte gjatë përballjeve në Kategorinë Superiore, ku sipas tij kishte disa lojtarë që e provokonin dhe e godisnin, por pa përmendur emra.

“Në Shqipëri pas sezonit që bëra u bë shumë e vështirë, kisha 3-4 lojtarë që më provokonin dhe më godisnin”, vijoi Nwabueze.

“Do të ishte më mirë të mos ndodhte ai episod që ndodhi në sfidën ndaj Bylisit. Nuk dua ta shoh më veten në atë situatë”.

Sulmuesi foli dhe rreth të ardhmes, ku për momentin nuk e shikonte veten në Kategorinë Superiore, por në një vend dhe një kampionat më të fortë.

“Të jem i sinqertë, pata mundësinë të largohesha nga Laçi dhe të merrja më shumë para, por drejtuesit nuk donin, sepse po projektonin një skuadër për titullin kampion”, pohoi golashënuesi i sezonit të kaluar në Superiore.

“Nuk kisha konkurrencë, vjet kisha Shkurtajn, tani nuk kisha më”.

“Nuk dua të them që nuk ka shanse të kthehem në Shqipëri, por dua të vazhdoj karrierën në vende të tjetër, për momentin Kategoria Superiore, nuk është në planet e mija”.

Nwabueze ishte një nga lojtarët më të shtrenjtë të Superiores, me vlerë 475 mijë euro sipas Transfermarket-it. Përgjatë dy sezoneve me Laçin, ai luajti 54 ndeshje në të gjitha kompeticionet, nga ku shënoi 38 gola dhe dhuroi gjashtë asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore