Lajme

Kurti në BBC: Kosova s’e lejon dinarin e Millosheviçit – Serbia deshi të provokojë luftë në Banjë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për transmetuesin britanik “BBC” të martën, deklaroi se Serbia s’mund t’ia imponojë komunitetit serb në Kosovë përdorimin e dinarit, duke shtuar se monedha shtetërore serbe i përket kohës së ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, dhe sëkëndejmi, s’mund të lejohet në Kosovë.

“Kosova mund të ketë vetëm një lloj valute si mjet pagese. Pra, si mjet pagese mund të përdoret vetëm euro. Dinari i përket shekullit të kaluar dhe Millosheviçit. Pra, nëse Serbia dëshiron dinarë, atëherë ata s’mund ta imponojnë këtë”, theksoi kryeministri Kurti, derisa konsideroi se “shumica e serbëve e pranojnë Republikën e Kosovës si shtetin e tyre”.

“Një shumicë e pakicës serbe e pranojnë Republikën e Kosovës si shtetin e tyre. Sidoqoftë ne duhet të parandalojmë Beogradin që mos t’i bullizojë ata. S’ka rrezik për serbët e Kosovës nga qeveria ime. Ne s’mund të lejojmë asnjë individ ose grup të bëhet më i fortë se shteti. Dhe shteti nënkupton sundim të ligjit për të gjithë dhe secilin”, nënvizoi kreu i ekzekutivit.

Shefi i Qeverisë së Kosovës përmendi edhe sulmin terrorist në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës vitin e kaluar, duke sugjeruar se shteti serb provokoi luftë.

“Ne konfiskuam armë, municion dhe pajisje ushtarake në vlerë deri në pesë milionë euro të prodhuara në Serbi vitet e fundit. Unë mendoj se Serbia deshi një luftë të re, por kjo nuk ndodhi. Ne eleminuam tre terroristë – dhjetëra prej tyre ikën, ndërsa ata sot janë në Serbi”, kujtoi kryeministri Kurti.

Ndryshe, kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë diskutimet mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë qarkullimin e dinarit brenda territorit kosovar, i cili përdoret në masë të madhe nga pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore