Kosova

Kurti mbështet ekipin olimpik të Kosovës


Albin Kurti - Kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Greqi, ka gjetur kohë t’i adresohet sportistëve të Kosovës të cilët do ta përfaqësojnë vendin e tyre në Lojërat Olimpike të Tokios.

Përmes një video incizimi, Kurti, u është drejtuar sportistëve në ceremoninë e pranimit të flamurit të shtetit me të cilin do ta përfaqësojnë Kosovën në këto lojëra, ndërsa është shprehur të vlerësoj lartë punën dhe angazhimin e tyre.

“Po e festojmë pasionin, punën dhe sakrificën tuaj për përfaqësimin e Kosovës në sport. Disa prej juve iu kam takuar personalisht dhe përkushtimi juaj në punë është shembull edhe jashtë sportit, nuk është vetëm talenti juaj në sport që duhet të na inspirojë të gjithëve, është angazhimi dhe përkushtimi juaj i jashtëzakonshëm”, ka thënë Kurti.

Kryeministri u ka thënë sportistëve se – “sot do të pranoni flamurin e shtetit me të cilin do të përfaqësoni Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020”.

Mes tjerash, ai ka bërë të ditur se në Greqi ndodhet për dy konferenca ndërkombëtare si dhe një sërë takimesh zyrtare.

Kujtojmë që Lojërat Olimpike “Tokio 2020” do të mbahen prej datës 23 korrik deri më 8 gusht në Tokio të Japonisë.

Ndërsa, shteti i Kosovës do të përfaqësohet nga gjithsej 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë janë vajza dhe pesë janë djem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore