Lajme

Kurti kritikon BE-në për sekuencim jo të balancuar të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim para gazetarëve ka folur për procesin e dialogut dhe Marrëveshjen e dakorduar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Kurti është shprehur i pakënaqur me mungesën e një sekuencimi të plotë dhe pa vonesa e pa kushte të marrëveshjes bazike dhe aneksit të implementimit, sekuencim i cili do të duhej të ishte i balancuar dhe ferr, e që, sipas tij, nuk është.

“Pra jemi të përkushtuar, jemi konstruktiv, mirëpo nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar që t`i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmase”, ka thënë Kurti.

Derisa ka bërë nderime për të pagjeturit në parkun memorial në oborrin e Bibliotekës, Kurti është pyetur lidhur me deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se është koha të gjendet zgjidhje bashkë me BE-në dhe SHBA-në për situatën në Veri, por i njëjti nuk ka dhënë përgjigje.

Ai u pyet edhe për shkresën që Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë i ka dërguar presidentit serb duke i kërkuar hapjen e arkivave për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.

“Së pari nga Serbia nuk kemi asnjë përgjigje për letrën të cilën e ka dërguar, Andin Hoti, për hapjen e arkivave atje në mënyrë që të merret vesh e vërteta dhe të mundësohet drejtësia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore