Lajme

Kurti: Krimet e kryera nga shteti i Serbisë s’vjetrohen dhe as nuk harrohen


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka përkujtuar dëshmorët që u vranë në fshatin Çabrat të Gjakovës, ka thënë se krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovës nuk vjetrohen dhe as nuk harrohen.

“Disa nga kryerësit e këtyre krimeve kanë qenë të njohur dhe janë identifikuar qysh në atë kohë nga banorët e Gjakovës, por deri sot nuk ka patur drejtësi për viktimat civile që u vranë ato ditë. Krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovës nuk vjetrohen dhe as nuk harrohen”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, ato krime janë të dëshmuara dhe të provuara dhe do të adresohen para drejtësisë sikur edhe kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre që do të gjurmohen deri në fund.

“Infrastruktura ligjore e institucionale si dhe prokurorët aktivë e gjyqësori efikas do të jenë rruga dhe mënyra në këtë obligim dhe synim tonin”, shtoi ai.

Ndryshe, liderët institucional të Kosovës për tri vjet rresht dështuan ta realizojnë premtimin e tyre për padi për gjenocid ndaj Serbisë.

Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë hap konkret e të prekshëm në këtë drejtim, ndërsa padia për gjenocid ndaj Serbisë nuk duket fare në horizont.

Si mashtroi Kurti se Kosova e ka “shumë afër” padinë për gjenocid ndaj Serbisë – qe 3 vjet, padia askund

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore