Lajme

Kurti: I lumtur po e pres draftin që e kanë përgatitur për Asociacionin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel, ka thënë se po pret ta shoh se çfarë Draft-Statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe do t’i paraqitet në këtë takim.

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë”, tha Kurti në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina“.

“Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve”, shtoi Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar garantoi se nuk do të lejojë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të themelohet në territorin e Kosovës sipas modelit të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta për territorializimin dhe krijimin e çdo gjëje që do të dukej si Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet, satelit me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, tha ai.

“Megjithatë, vendi ynë është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorializimin në bazë etnike sepse është kundër demokracisë dhe republikës”, nënvizoi numri një i qeverisë, teksa shtoi se “do të sigurojë kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në tërë territorin e Kosovës”.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial janë diçka që nuk duhet të cenohen. Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t’i japim pushtet ekzekutiv komunitetit lokal”, theksoi ai.

Kurti ka folur edhe për vendimin e Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të KiE-së (APKE) kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në organizatë dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ata konfirmuan përparimin e Kosovës në standardet demokratike, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Kalimi i pengesës së parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një njohje e progresit tonë të brendshëm”, tha Kurti.

“Ne u jemi vërtet mirënjohës partnerëve dhe miqve tanë, përfshirë Kroacinë, të cilët na ndihmuan të tejkalojmë shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave që Kosova të jetë në Këshillin e Evropës”, ​​shtoi ai.

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, tha se në krye të agjendës së takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në Bruksel më 2 maj, do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë në Kosovë.

Lajçak theksoi se mbi tryezën negociuese ku do të ulen e të bisedojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të “përcaktuar statusin ligjor të serbëve të Kosovës” dhe “se çfarë kompetencash do të ketë”.

“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumcië serbe do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak.

Për diplomatin sllovak, ndonëse tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbë është tejet e ndjeshme, ajo që do të ndodhë në Bruksel “do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, duke iu qëndruar pas modeleve evropianeve që rregullojnë çështjen e pakicave kombëtare në Evropë.

“Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmnë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”, shtoi ai.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Sëkëndejmi, mbetet për t’u parë nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë vetëm një rojtare/përgjegjëse për komunikimin ndërmjet komunave dhe qeverisë qendrore (siç është kuptimi i zakonshëm i një asociacioni komunash) apo, një autoritet që përfaqëson të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Vujiçiç, Beloviç, Kalamar dhe Radojkoviç – këta janë 4 serbët të ngarkuar për draftin e Asociacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore