Lajme

Vujiçiç, Beloviç, Kalamar dhe Radojkoviç – këta janë 4 serbët të ngarkuar për draftin e Asociacionit


Disa nga anetaret e ekipit per hartimin e statutit te Asociacionit

Në Kosovë për një kohë është menduar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për hartimin e draft-statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por, sipas Marrëveshjes së vitit 2013 dhe sipas tri vendimeve të qeverisë së Kosovës (2013, 2016, 2020) janë një grup prej disa serbëve të Kosovës që janë përgjegjës për këtë proces.

Anëtarët në vazhdimësi kanë ndryshuar, derisa aktualisht deputetja e parlamentit serb, serbja nga Mitrovica e Veriut, Danijela Vujiçiç, është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues me vendimin e fundit qeveritar (2020).

Sipas vendimit të vitit 2013, të nënshkruar nga Zëvendëskryeministri i atëhershëm, Slobodan Petroviç, anëtarë të grupit menaxhues për themelimin e Asociacionit ishin, Igor Kalamar nga Mitrovica e Veriut, Lubomir Mariç nga Zveçani, Dragan Jablanoviç nga Leposaviqi dhe Dejan Radojkoviç nga Zubin Potoku.

Siç dihet, për shkak të zhvillimeve politike, drafti nuk u bë.

Një tjetër vendim, për të njëjtën çështje, ishte marrë në vitin 2016.

Tash i nënshkruar nga ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariç, vendimi thoshte se anëtarët e ekipit menaxhues Mariç dhe Jablanoviç, zëvendësoheshin me dy anëtarë të tjerë, Vinka Radosavljeviç dhe Svetislav Durleviç.

Derisa Kalamar dhe Radojkoviç vazhdonin të mbeteshin pjesë e grupit.

Drafti prapë s’u soll dhe s’u hartua kurrë.

Vendimi i fundit për këtë çështje do merrej me 25 shtator të vitit 2020.

Tani, Goran Rakiç, si zëvendëskryeministër i Kosovës, do të zëvendësonte prapë dy anëtarë të ekipit.

Radosavljeviç dhe Durleviç do largoheshin, për të ardhur në grup Jelena Beloviç dhe Danijela Vujiçiç.

Kalamar dhe Radojkoviç mbeteshin të pazëvendësueshëm edhe me këtë vendim.

Danijela Vujecic

I njëjti vendim shtonte se Dadijela Vujiçiç do të ishte edhe koordinatore e ekipit menaxhus po ashtu.

Kur me 2 maj në takimin e ardhshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, pritet të dorëzohet edhe drafti për Asociacionin, nuk ka asnjë informacion se është ky grup që po e përgatit, apo ndonjë grup tjetër.

I pyetur për këtë çështje, ministri aktual i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka shkruar në Facebook se as ai s’ka informacione të tjera, pos këtyre vendimeve që janë marrë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore