Kosova

Serbët s’morën pjesë, Kurti e cilëson si të suksesshëm procesin e regjistrimit të popullsisë


Albin Kurti

Ndonëse serbët e Kosovës edhe kësaj radhe refuzuan pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si të suksesshëm këtë proces i nisur më 5 prill të këtij viti.

“Kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë”, ka thënë ai fillimisht në fjalimin e tij në shënim e përfundimit të këtij procesi.

Sipas tij autoritetet kosovare kanë mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhshmes.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë”, është shprehur ai.

Kryeministri Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit.

Ai ka falënderuar edhe ekipet e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësit e këtij procesi.

Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill.

Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore