Kosova

AAK-ja kërkon që ballafaqimi i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit të mos bëhet pa dakordim të plotë


Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar që “ballafaqimi i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit”, të mos bëhet pa dakordim të plotë dhe pa pjesëmarrje të deputetëve.

Kërkesën Tahiri, e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Grupi parlamentar i AAK-së tash e tre muaj ka vendos në Kryesi të Kuvendit një kërkesë për debat për tri vjet qeverisje. Në diskutim me grupet parlamentare dhe në mungesë të deputetëve, një temë kaq e rëndësishme, që do të jetë një ballafaqim i vërtetë në mes opozitës dhe kryeministrit, nuk do të duhej të ndodhë pa një dakordim të plotë dhe pa pjesëmarrje të deputetëve”, ka shkruar ai.

Për këtë arsye ai ka sqaruar se kanë kërkuar që ta shtyjnë këtë debat.

“Andaj në mungesë të deputetëve dhe në dakordim me grupet parlamentare, po e shtyjmë këtë debat, ndërsa në Kryesi të Kuvendit vendosim për datën e tjetër kur do ta mbajmë seancën”.

Në mungesë të deputetëve Kuvendi i Kosovës, të premten, nuk ka mbajtur një seancë plenare ku do të shqyrtohej edhe draft-rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ajo është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, seanca e paraparë për 24 maj, do të mbahet në një datë kur ka gatishmëri më të madhe të deputetëve.

AAK-ja përmes rezolutës të premten synonte të kërkonte që “Qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje ose me mocion për shkarkimin e saj”.

Pas dorëheqjes apo shkarkimit, sipas draft-rezolutës së AAK-së, mund të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.

Gjatë kësaj seance do të diskutohej edhe për tre vjetët e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte opozitari i vetëm i cili pranoi ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për takim më 13 maj ku mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare doli të jetë tema kryesore.

Ftesën e Kurtit për këtë takim e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK.

Si LDK ashtu edhe AAK argumentuan se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse kryeministri Albin Kurti jep dorëheqje.

Sipas tyre kërkesa e PDK-së për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës është e pakuptimtë.

Në anën tjetër partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme.

Për LVV-në shkuarja në zgjedhje varet nga partitë opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore