Lajme

Veprimet e Izraelit janë të papajtueshme me ligjin ndërkombëtar, thotë zëvendëskancelari gjerman


Zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, akuzoi Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar me vijimin e ofensivën në Rafah.

Ai u kthye kështu në politikanin e parë të lartë gjerman që mori një qëndrim kaq të fortë ndaj ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

“Nuk duhet ta bëjë këtë”, tha Habeck në një dialog me qytetarët në kryeqytetin gjerman.

“Sigurisht, Izraeli duhet t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar”. tha ai.

Vërejtjet e tij përfaqësojnë një ndryshim në retorikën e përfaqësuesve të lartë të qeverisë gjermane, të cilët më parë e kanë paralajmëruar Izraelin të mos sulmojë Rafahun, por kanë hezituar të bëjnë akuza të tilla të drejtpërdrejta.

“Uria, vuajtjet e popullatës palestineze, sulmet në Rripin e Gazës janë – siç po shohim tani në gjykatë – të papajtueshme me ligjin ndërkombëtar”, tha Habeck.

“Me fjalë të tjera, është me të vërtetë rasti që Izraeli ka kaluar një vijë atje dhe nuk duhet ta bëjë këtë”m tha Habeck, i cili është gjithashtu ministër i Ekonomisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara, vendosi të premten se Izraeli duhet “të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake” në Rafah në Rripin e Gazës.

Izraeli e kundërshtoi vendimin të shtunën duke kryer sulme të intensifikuara në Rafah.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore