Kosova

Raporti: KFOR-i e negocioi largimin e terroristëve nga Banja


Terroristët serbë duke ikur maleve

Që grupi terrorist më në krye kriminelin Milan Radojiçiç, i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, të largohet maleve për në Serbi, ka negociuar me ta misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kështu thuhet në raportin e titulluar “BALLKANI PERËNDIMOR: SFIDAT E PËRGJITHSHME TË SIGURISË NË PARG TË NATO-s”, i shkruar nga Lord Mark Lancaster – përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar – që u diskutua të shtunën në Komisionin për Mbrojtje e Siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s.

“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, në të cilat ata u zhdukën (ICG, 2024)”, thuhet në faqen 10-të të raportit që ka 21 faqe gjithsejtë.

“Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë ishin fshehur në pyjet midis Banjës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një sasi të madhe armësh të afta për të shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme – kjo përfshin raketa-hedhës antitank, mortaja dhe granatahedhës, anti- mina tankesh dhe 24 automjete (një e blinduar) (ICG, 2024)”, theksohet aty.

Në lidhje me negocimin e KFOR-it dhe terroristëve serbë, që këta të fundit të largoheshin nga Kosova, ashtu siç thuhet edhe në këtë raport, kishte raportuar “Albanian Post”, më 20 tetor të vitit të kaluar, pak më pak se një muaj pas sulmit.

Drama e Konfliktit në Veri të Kosovës – prapaskenat e një beteje që nuk përfundoi, por filloi me 24 shtator

Ndryshe, një grup i armatosur më 24 shtator të 2023-së, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u shfaqën para opinionit publik nga Policia e Kosovës pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Ajo çka ka qenë e paqartë është fakti se si arriti pjesa më e madhe e terroristëve të largohej me aq lehtësi maleve për në Serbi, ku edhe u strehuan, e që shpjegohet në raportin që u diskutua të shtunën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore