Lajme

Kurti e pranon se i është prezantuar korniza e re franko gjermane: Jo gjithçka mund ta hedhim në opinion


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se i është prezantuar “korniza e re” për dialog për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka publikuar të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post.

“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotërit Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”, tha Kurti.

Por, thotë se jo gjithçka që bisedohet “mund ta hedhim në opinion”.

Ai ëshë arsyetuar se derisa gjërat janë në nivel të ideve dhe nuk kanë formën e prerë nuk mund t’i prezentohen publikut, sepse bisedimet kërkojnë një dozë konfidencialiteti.

“Nuk ka diçka përfundimtare, aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej që ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet”.

“Më shumë ka ide që qarkullojnë Berlin, Bruksel, Uashington, Londër Romë, Paris dhe Beograd e Prishtinë”.

“Unë kam zotim të plotë për transparencë mbi procesin, mirëpo është konfencidialiteti i bisedimeve paralelisht me transparencën  e procesit dhe të gjitha idetë me të cilat shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë nga më të ndryshimit”.

Sipas kryeqeveritarit, duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet.

“Përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikojë, pas ngurtësimit vjen publikimi”, shtoi ai.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore