Sport

Kualifikueset e Kupës së Botës 2023 për femra, Shqipëria përballet me Kosovën


Shqipëria do të presë Kosovën në ndeshjen e parë për kualifikueset e Kupës së Botës 2023 për femra. Sfida do të luhet të enjten e 16 shtatorit në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 19:00.

Kombëtarja kuqezi do të ketë dy ndeshje kualifikuese këtë muaj. Fillimisht me Kosovën dhe më pas më 21 shtator do të luajë në Belgjikë.

Armir Grima, trajneri i Shqipërisë është shprehur se grupi në të cilin bën pjesë kombëtarja është një gup i fortë. Përveç Kosovës dhe Belgjikës, pjesë e Grupit F janë edhe Polonia dhe Novegjia.

“Normalisht, duke parë grupin e vajzave, duke parë edhe ekipet me të cilat do të ndeshemi, besoj që është grup i fortë”, tha Grima.

“Na presin ndeshje të forta, por gjithmonë besimi te këto vajza është maksimal. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të vazhdojmë me atë rritje që ka pasur Kombëtarja e femrave këto vitet e fundit”, shtoi tekniku.

Përsa i përketë përballjes me Kosovën, Grima tha për mediat se ai nuk e kishte dëshiruar një përballje të tillë në grup.

“Realisht, nuk do kisha pasur dëshirë ta kishim Kosovën në grup. Do të ishte më mirë të ishte një grup tjetër, megjithatë, futbolli është i tillë dhe ajo që ne presim nga kjo ndeshje dhe ajo që ne kemi objektiv është normalisht fitorja, me të gjithë respektin maksimal dhe duke njohur maksimalisht mirë ekipin e Kosovës”, vijoi të thoshte Grima.

“Duke ditur që është një ekip me elementë pozitivë dhe ato kanë pasur një rritje këto vitet e fundit, por detyra dhe pikësynimi ynë kryesor është që të fitojmë ndeshjen. Pastaj, me radhë ndeshjet e tjera”.

Më tej Grima tha se stadiumin “Elbasan Arena” e kanë “fatsjellës” dhe se beson se tifozeria “nuk do të mungojë” për të mbështetur kombëtaren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore