Lajme

“Krimineli mbetet gjithmonë kriminel” – Kritikohet Kurti që e përkujtoi Ivanoviç-in


Oliver Ivanovic, foto nga Albanian Post

“Ish-politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviç, ka vrarë qindra shqiptarë, krimineli mbetet gjithmonë kriminel”, thotë për Albanain Post, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani.

“Ai që thotë herë kriminel, herë vëlla, ia paftë hairin”, thekson ai për AP.

Berani këto komente i bëri kur është pyetur për reagimin e kryeministrit Albin Kurti, të hënën, në pesë vjetorin e vrasjes së Ivanoviç-it, meqë theksoi se ky i fundit “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

“Reagimi ka qenë i ngutur kur i thua një krimineli burrë i mirë, krimineli gjithherë mbetet kriminel”, shtoi Berani.

Njëjtë si Berani mendonte edhe Kurti dikur. Në vitin 2015, atëkohë si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, thoshte se Ivanoviç ishte angazhuar “për realizimin e planit hegjemon të Serbisë – kolonizimin e Kosovës dhe spastrimi i saj”.

Edhe Berani ishte i bindur që Ivanoviç ka vrarë dhe përndjekur qindra shqiptarë në vitin 1999 dhe 2000 në Mitrovicën Veriore dhe ndryshe nga Kurti ai s’e ka ndryshuar mendjen.

“Me 14 prill, 1999 në ora në ora 2:20 minuta i ka vrarë 31 shqiptarë në lagjen e Boshnjakëve. Ndërsa më 16 prill i ka vrarë 8 shqiptarë, jo vetëm ai por kanë qenë grup”, tregon Berani.

Madje, Berani potencon se i Ivanoviç, pos vrasjeve ka qenë i përfshirë edhe në keqtrajtimin e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga shtëpitë në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Pas lufte me 24 shkurt i ka vrarë 10 shqiptarë, i ka plagosur 25 të tjerë, i ka keqtrajtuar shumë të tjerë dhe i kanë larguar nga shtëpitë mbi 1 mijë shqiptarë. Ky është Oliveri që e  ka lavdëruar Kurti”.

Edhe analisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, e pranon se Ivanoviç “ka vrarë shqiptarë” dhe “ka organizuar rojet e urës dhe nuk ka lejuar depërtimin e shqiptarëve në Veri”, gjithsesi fjalët e Kurtit nuk i sheh si të gabuara, meqë Ivanoviç tashmë ka vdekur.

“Kështu pati bërë edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, që kishte qenë në detyrë në momentin e vrasjes së Ivanoviç-it, pasi kishte mbajtur një minutë heshtje, kjo është gjëja më normale”, thotë Spahiu për Albanian Post.

“Vrasja ka qenë e papranueshme. Është tjetër gjë kur një politikan është gjallë dhe tjetër gjë kur vritet në mënyrë mizore”.

Prandaj, thotë Spahiu “kjo nuk është një arsyeje për ta gjykuar Albin Kurtin pse e ka përkujtuar atë në pese vjetorin e vrasjes”.

Klinaku për Albanian Post: Ivanoviçi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, reagimi i Kurtit është i dëmshëm

Të hënën, edhe Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, i ka reaguar kryeministrit Kurti.

Klinaku tha për AP se ka qenë i habitur me ndryshimin e mendimit nga Kurti për Ivanoviç-in.

“Ivanoviçi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve”, tha Klinaku për AP.

Ndryshe, Kurti, përmes një video-mesazhi ka lavdëruar angazhimin politik të Ivanoviç-it dhe ka kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

“Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”.

Sipas Kurtit, “vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë”.

Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Të akuzuarit në këtë rast janë Nedejklo Spasojeviç, Marko Roshiç, Rade Basara dhe Silvana Arsoviç, të cilët ngarkohen se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviç’it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore