Lajme

Klinaku për Albanian Post: Ivanoviçi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, reagimi i Kurtit është i dëmshëm


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti, në përvjetorin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç, ka thënë se ky i fundit “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Por, Klinaku thtë për Albanian Post se ka qenë i habitur me ndryshimin e mendimit nga Kurti për Ivanoviç-in.

“Ivanoviçi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve”, tha Klinaku për AP.

“Ky reagim i Kurtit, është jo veç i pamatur, por edhe i dëmshëm”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se Kosova është shumë etnike.

“Nëse doni ju mashtrohuni. Veç me e quajt tash kriminelin njeri të mirë, domethënë se e ke një zor të madh”.

Gjatë kësaj të hënë, Kurti, përmes një video-mesazhi ka theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviç u vra në rrugët e Mitrovicës.

“Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”.

Sipas Kurtit, vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë.

“Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviç-in, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen”.

Por, ndryshe nga tash, Kurti gjatë vitit 2015, atëkohë si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, pati thënë se i ndjeri ishte angazhuar “për realizimin e planit hegjemon të Serbisë – kolonizimin e Kosovës dhe spastrimi i tij”.

Saktësisht në kohën dhe vendin ku është vrarë politikani serb, Oliver Ivanoviç të hënën e 16 janarit, familjarët dhe shokët kanë ndezur qirinj, për ta përkujtuar dhe kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Të akuzuarit në këtë rast janë Nedejklo Spasojeviç, Marko Roshiç, Rade Basara dhe Silvana Arsoviç, të cilët ngarkohen se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviç’it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore