Lajme

Familjarët kërkojnë drejtësi në përvjetorin e pestë të vrasjes së Oliver Ivanoviçit


Oliver Ivanoviç

Saktësisht në kohën dhe vendin ku është vrarë politikani serb, Oliver Ivanoviç të hënën e 16 janarit, familjarët dhe shokët kanë ndezur qirinj, për ta përkujtuar dhe kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

Në seancën e së mërkurës në lidhje me këtë rast në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviç, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar propozimin e avokatit Faruk Korenica për dëgjimin e pesë dëshmitarëve.

Deri ku ka arritur hetimi për vrasjen e Ivanoviçit?

Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Aktakuzë është ngritur kundër Nedelko Spasojeviç (oficer policie), Marko Roshiç (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviç (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviç), Dragisha Markoviç (oficer policie), Zharko Jovanoviç (oficer policie) dhe Rade Basara (oficer policie).

Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiç (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiç (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviç (biznesmen).

Ndaj këtyre personave nuk është ngritur aktakuzë pasi ata ishin në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.

Vendi i vrasjes së Oliver Ivanoviçit, politikanit serb në Kosovë

Në aktakuzë përmenden Radoiçiç dhe Vesellinoviç si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviç.

Më 2019, Kosova lëshoi një urdhërarrest për Radoiçiçin nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen e Ivanoviçit.

Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiçin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Më 11 janar, Gjykata Themelore në Prishtinë, në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç ka aprovuar propozimin e avokatit Faruk Korenica për dëgjimin e pesë dëshmitarëve.

Më 10 janar, ishte anuluar seanca për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ishte paralajmëruar për këtë të marte të 10 janarit, me kërkesë të mbrojtësit të Nedeljko Spasojeviçit, Faruk Korenica.

Seanca fillestare në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç’ot, ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Pas firmosjes së marrëveshjes së Brukselit, Serbia dhe Kosova filluan normalizimin e raporteve.

Nga kjo kohë qasja e Ivanoviç në politikë ishte moderuar. Në vitin 2014 ai u akuzua për krime lufte dhe u burgos.

Në 2016-ën, u dënua me nëntë muaj burgim nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEX. Ndërkohë në vitin 2017, Gjykata e Prishtinës e anuloi këtë vendim duke e liruar politikanin serb dhe duke rinisur një proces të ri.

Gjatë kësaj kohe, Ivanoviç mori kërcënime të shumta, deri në çastin e vrasjes së tij, në janar të 2018-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore