Kosova

“Sqarova para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”, Durmishi pas intervistimit


“Sqarova para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”.

Kështu ka thënë pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë.

“Kryesisht, kjo është fazë fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova pothuajse të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë-Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar”, tha Durmishi para gazetarëve.

“Ka vendime edhe të OShP-së për këtë çështje të cilat janë publike dhe që dëshmojnë pastërtinë tonë në gjithë këtë proces”, shtoi ai.

Në gusht të vitit të shkuar, konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch” pati evidentuar varg shkeljesh në tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Durmishi i ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i pavarur administrativ, i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë për tenderët e institucioneve publike.

E vlera totale e kontratave të nënshkruara nga zëvendësministri Durmishi është 35 milionë euro, ndërsa njërën pjesë të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e së cilës zëvendësministri i Kosovës e ka konfirmuar vetë se e ka shok.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore