Shqipëria

Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë, thotë Balla


Ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi me Kreun e Prezencës së OSBE në Tiranë Clarisse Pasztory dhe përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile, një Memorandum Mirëkuptimi.

Përmes tij, palët angazhohen të bashkëpunojnë për realizimin e fushatave kombëtare ndërgjegjësuese, me synim parandalimin e rreziqeve që vijnë nga fenomeni i armëmbajtjes pa leje.

Nënshkrimi sakaq vjen në kohën e duhur pasi OSBE në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme janë prag të prezantimit të dy fushatave ndërgjegjësuese.

Këto fushata synojnë të ndërgjegjësojnë vajzat dhe djemtë e rinj, si dhe burrat dhe gratë, për tema që lidhen me rreziqet dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit, te cilat në shumicën e rasteve janë të lidhura ngushtë me dhunën me bazë gjinore.

Si pjesë e këtyre fushatave, OSBE ne bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit synojnë të zhvillojnë aktivitete te përbashkëta me shoqërinë civile, të cilat do të shtrihen në shkolla dhe komunitete në ato zona të identifikuara tashmë nga strategjia.

Memorandumi u firmos nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Dafina Peci, Drejtoreshë e Zyrës Kombëtare e “Terre des Hommes” Enkelejda Kallçiu, Drejtoresha Kombëtare Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim Mirela Arqimandriti, si dhe Lumjana Cenaj në emër të Qendrës së Gruas për Zhvillim dhe Kulturë  në Shqipëri.

Ky Memorandum mbetet një platformë e hapur për ato organizata që duan t’i bashkohen nismës dhe të mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit Shqiptar për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta.

Balla tha se  armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë.

“Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë”, u shpreh ai.

“Gjatë 300 ditëve të fundit Policia e Shtetit ka ndërmarrë një numër të konsiderueshëm operacionesh policore kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje, kryesisht këto nën ombrellën e operacionit kombëtar Sundimi i Ligjit”.

Sipas tij, janë më shumë se 415 armë zjarri të sekuestruara në cilësinë e provës materiale dhe mbi 500 armë të tjera të ftohta, që tregon për një prezencë të madhe të armëve në duart e qytetarëve.

Por që shton “angazhimin tonë kundër fenomenit armëmbajtjes pa leje, i cili mbetet një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore