Lajme

Kosovë: Vaksinohen presidentja Osmani dhe kreu i Kuvendit, Konjufca


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Fotografi nga arkivi.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës anti-COVID.

MSH-ja përmes një komunikate për media ka thënë se Osmani dhe Konjufca gjatë të shtunës së 12 qershorit e kanë vizituar sallën “1 Tetori”, në Prishtinë për të parë nga afër përgatitjet për fillimin e vaksinimit në masë “që do të fillojë nga java e ardhshme”.

Presidentja Osmani, me këtë rast ka porositur të gjithë qytetarët që sapo të fillojë vaksinimi masiv, t’i përgjigjen ftesës për vaksinim të MSH-së.

“Vaksinat janë të sigurta dhe vetëm përmes vaksinimit dhe respektimit të masave, do të mund t’i kthehemi normalitetit duke mposhtur virusin COVID-19”, është shprehur Osmani.

Sipas saj, vaksina duhet të kuptohet edhe si përgjegjësi, ngase “krijojnë siguri dhe mundësojnë këndelljen ekonomike të vendit nga pasojat e pandemisë”.

Në anën tjetër edhe Konjufca, ka ftuar qytetarët që ta marrin vaksinën sepse sipas tij imunizimi është zgjidhja më e mirë kundër COVID-19.

“Me vaksinim lehtësohet edhe shteti, ngase bëhet e mundshme hapja, rikthimi i normalitetit, por edhe stabilitet i përgjithshëm”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, një javë më parë, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është imunizuar me dozën e dytë të vaksinës anti-COVID nga kompania AstraZeneca.

Deri tani në Kosovë janë vaksinuar rreth 100 mijë qytetarë.

“Nuk ka pasur asnjë efekt serioz anësor dhe se vaksinat janë të sigurta dhe ky proces po ecën sipas planit”, ka njoftuar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërkohë, MSH-ja i ka ftuar qytetarët që kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, që të dielën të paraqiten në sallën “1Tetori” në Prishtinë, për të marrë edhe dozën e dytë.

“Ftohen qytetarët e listës në vijim, që kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, që nesër, ditë e diel, 13 qershor 2021, të paraqiten në sallën “1 Tetori” për marrjen e dozës së dytë, sipas terminëve të caktuara në listën e bashkëngjitur në përshkrimin e këtij postimi”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, numri total i rasteve i të shëruarve është 104 mijë 791 persona, ndërsa nga fillimi i pandemisë numri i rasteve të vdekjes është dy mijë 249 persona.

Kurse raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 531.

Që nga mbërritja e 24 mijë dozave të para të vaksinës, Ministria e Shëndetësisë ka zbatuar planin kombëtar të vendosjes dhe vaksinimit ku punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit kanë përparësi si grupet e para që vaksinohen.

Megjithatë, Kosova më në fund ka arritur të nënshkruajë marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e vaksinave anti-COVID-19.

Këtë përveç Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili pati thënë se “posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’ rast kemi blerë vaksina nga kompania Pfizer”, këtë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesja për media nga kompania Pfizer, Urska Lakner, me anë të një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Pfizer/BioNtech po punojnë pa u lodhur për të mbështetur zhvillimin e fushatave të vaksinimit në të gjithë botën. Ne mund të konfirmojmë që marrëveshja me Qeverinë e Kosovës është arritur”, pati thënë ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se rreth 1.2 milion doza të kësaj vaksine do të vijnë në Kosovë deri në fund të këtij viti.

Vitia ka deklaruar se do të fillojë plani për vaksinimin masiv të popullatës nga 15 qershori i këtij vit.

Kjo është kontrata e parë e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës për sigurimin e vaksinave për imunizimin e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore