Lajme

Kosovë: PDK zyrtarizon kandidaten për kryetare të komunës së Gjilanit


Ilustrim

Në mesin e kandidatëve të zyrtarizuar për kryetarë të komunave, është shtuar edhe një kandidate grua nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Leonora Morina-Bunjaku, është kandidatja e cila do t’i futet garës për kryetare në komunën e Gjilanit. Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga PDK.

Morina-Bunjaku, është kandidatja grua e katërt e cila do t’i hyjë kësaj gare që do të zhvillohet më 17 tetor të këtij viti.

Pas mbledhjes së Kryesisë së këtij subjekti politik, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se po punon nga afër me secilën degë të PDK-së për të përgatitur listat më të mira zgjedhore.

Ai ka theksuar se PDK do të ofrojë para qytetarëve të secilës komunë në Kosovë “njerëzit më të mirë, profesionistë, atdhetarë, gra e të rinj të shkolluar, për të siguruar fitore në shumicën e komunave të vendit”.

“Kandidatët tanë për kryetarë komunash dhe ata për Kuvende Komunale do të jenë përfaqësuesit më të denjë të qytetarëve në secilën Komunë. Vajza e djem të ri po na bashkohen çdo ditë në vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës. PDK do të vazhdojë të hapet dhe tu ofrojë mundësi secilit profesionistë e qytetarë për të punuar së bashku në forcimin dhe zhvillimin e vendit”, ka thënë Krasniqi.

Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës

Gjatë kësaj mbledhje, janë miratuar edhe pesë kandidatura të tjera për kryetarë të komunave.

“Kandidat për kryetar të komunës së Suharekës është Murtez Zekolli, në komunën e Vushtrrisë është kandiduar Ferit Idrizi, në komunën e Kamenicës – Muhamed Kallaba, në komunën e Lipjanit – Hyzer Rizani ndërsa në komunën e Hanit të Elezit është kandiduar Mehmet Ballazhi”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim thuhet se gjatë ditëve të ardhshme PDK do të zyrtarizojë edhe kandidatët tjerë për kryetarë të komunave si dhe do të finalizojë listën e kandidatëve për Kuvende Komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore