Lajme

Kosovë: AAK zyrtarizon kandidaturën e Arta Ahmeti-Xhylani për kryetare të Drenasit


Arta Ahmeti-Xhylani, është kandidatja e cila do t’i futet garës për kryetare e komunës së Drenasit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në mesin e kandidatëve të zyrtarizuar tashmë për kryetar komunash, ka vendosur që në listë të fus një kandidate grua.

Arta Ahmeti-Xhylani, është kandidatja e cila do t’i futet garës për kryetare e komunës së Drenasit. Kjo është bërë e ditur nga Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Arta Ahmeti-Xhylani është kandidate e Aleancës për kryetare të komunës së Drenasit. Juriste me profesion, me përvojë pune në institucione shtetërore e gjithashtu edhe në ndërmarrësi, Arta ka udhëhequr degën tonë në Drenas, duke u bërë e para kryetare e degës së një partie politike e po ashtu edhe kandidatja e parë grua për kreun e komunës në historinë politike të Drenasit”, ka shkruar ai.

Haradinaj po ashtu ka theksuar se programi i AAK-së për qeverisje me qytetarët, është njëra ndër arsyet e shumta pse Arta dhe ekipi i saj “meritojnë të udhëheqin me këtë komunë”.

“Programi i Aleancës për qeverisje me qytetarët, për përkrahje të bizneseve të vogla e të mesme në Drenas si dhe zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm dhe kanalizimit, në mes tjerash, janë arsye e fortë se pse Arta dhe ekipi i saj janë meritorët për udhëheqjen e kësaj komune”, shtoi ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Arta Ahmeti-Xhylani, kandidatja e cila do t’i futet garës për kryetare e komunës së Drenasit.

 

Ndërkohë, në vjeshtën e këtij viti do të zhvillohet gara për kryetarë të komunave të Kosovës.

Shumica e kandidatëve që janë prezantuar nga partitë politike për garën e 17 tetorit janë meshkuj, përjashtuar tashmë edhe tri kandidate gra.

Sibel Halimi e Hyrije Dobrunaj janë dy kandidate për kryetare të komunave. Halimi kandidate për komunën e Ferizajt ndërsa Dobrunaj për komunën e Deçanit.

Derisa subjektet politike si Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë shpallur kandidaturat e tyre për kryetarë të komunave, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë zyrtarizimin e asnjërit nga kandidatët.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore