Lajme

Kosovë: Nga një muaj paraburgim për personat që u kapën me 83 kilogramë heroinë


Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është caktuar masa e paraburgimit kundër shtatë personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale si blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se të pandehurit, shtetas të Republikës së Kosovës dhe një shtetas i Republikës së Truqisë “pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, të pandehurit L.T., O.V., M.H., SH.D., F.K., A.K., A.A., më 23 shkurt 2022, në terminalin doganor në Hanin e Elezit, duke vepruar si anëtarë të grupit, pa autorizim kanë transportuar nga Turqia në Republikën e Kosovës, substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë”.

Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

“Këto substanca kanë pasur për qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimi për shitje, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit të automjetit transportues është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, me peshë të përgjithshme 83.592 gram, të cilat për destinacion ka pasur Prishtinën”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër shtatë të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore