Lajme

Kosovë: Mbingarkohet klinika e Pediatrisë, për një javë u trajtuan mbi një mijë fëmijë


Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është mbingarkuar me fëmijë që po kërkojnë trajtim spitalor. Vetëm për një javë në këtë klinikë u trajtuan një mijë e 163 fëmijë.

Kështu është bërë e ditur nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.

“Sipas raportit javor të kësaj klinike, për një javë janë trajtuar një mijë e 163 fëmijë.  Nga numri i përgjithshëm i rasteve, 785 kanë qenë vizita më kuadër të Emergjencës Pediatrike, kurse 378 vizita në Ambulancat specialistike. Brenda javës për trajtim spitalor janë pranuar 206 fëmijë”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi thuhet se vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, në klinikën e Pediatrisë janë trajtuar mbi tre mijë raste.

“Gjatë muajit korrik, klinika ka trajtuar tre mijë e 712 raste, përfshirë dy mijë e 409 vizita në Emergjencën Pediatrike, një mijë e 303 vizita në ambulancat specialistike”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, sa i përket rasteve të pacientëve të hospitalizuar në klinikat dhe spitalet ku po trajtohen të infektuarit me COVID-19, janë gjithsejtë 107 pacientë.

“107 pacientë të shtrirë në klinikat COVID-19 dhe spitalet e përgjithshme. 64 raste janë të konfirmuar me Coronavirus pozitiv, 72 janë me oksigjeno-terapi dhe dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore”.

Ndërsa në QKUK janë gjithsejtë 70 pacientë të shtrirë, 31 prej tyre me COVID-19 pozitiv dhe 54 me oksigjeno-terapi.

Në klinikën Infektive janë gjithsejtë 34 pacientë të shtrirë kurse në klinikën e Pulmologjisë janë gjithsejtë 36 pacientë të shtrirë.

Në spitalet e përgjithshme po trajtohen 37 pacientë, 33 prej tyre me COVID-19 pozitiv dhe 18 me oksigjeno-terapi.

Spitali i komunës së Pejës ka numrin më të madh të pacientëve të shtrirë për shkak infektimit me COVID-19 me gjithsejtë 13 pacientë.

“Spitali i komunës së Prizrenit ka gjithsejtë pesë pacientë duke u trajtuar nga Coronavirus, spitali i Gjakovës me gjithsejtë nëntë pacientë, spitali i Pejës me 13 pacientë, ai i Gjilanit me tetë pacientë kurse spitali i Mitrovicës me dy pacientë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore