Lajme

Kosovë: Mbi 2 mijë lehona përfituan pagesat e para nga shteti


Ilustrim.

2 mijë e 158 lehona kanë përfituar nga Pakoja e Ringjalljes së Ekonomisë, ka njoftuar ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati.

“Sot është bërë ekzekutimi i pagesave për lehonat, për gjithsej 2,158 përfituese”, ka shkruar Murati në Facebook

Tutje, ai ka bërë të ditur se, 68 aplikuese kanë pasur të dhëna të pasakta.

“Andaj përmes eKosova do të njoftohen që të përmirësojnë të dhënat, dhe muajin vijues do të pranojnë pagesën edhe për muajin shtator, retroaktivisht, pasi të kenë përmirësuar të dhënat e nevojshme”.

Kriteret vlenin për të gjitha nënat që kanë lindur fëmijën pas 1 gushtit 2021.

Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati.

170 euro janë ndarë për lehonat (nënat e reja), për fëmijët deri dy vjet shtesat do të jenë 20 euro në muaj, ndërsa ata nga dy deri 16 vjeç, nga 10 euro në muaj.

Për këtë masë kanë mundur të aplikojnë të gjitha nënat që kanë lindur fëmijën në vitin 2020 apo 2021.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se nga 11 shtatori është hapur aplikimi për pagesat e lehonave dhe shtesat e fëmijëve, që do të bëhet nga Qeveria e Kosovës.

Po ashtu, nga janari i vitit 2022 gradualisht do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16 vjeçare, që do të marrin vlera shtesë prej 10 euro në muaj.

Më 25 gusht, 7 milion euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për lehonat dhe shtesat e fëmijëve. Ky vendim është ndërmarrë në mbledhjen e së mërkurës ku gjithashtu janë marrë edhe një sërë vendimesh tjera, duke kaluar disa projekt-ligje të rëndësishme të cilat kanë implikime shuma të larta buxhetore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten e 18 shtatorit bëri të ditur se nga fillimi i aplikimit për shtesat dhe gra lehona janë bërë 13 mijë e 180 aplikime, prej tyre 1 mijë e 501 mbështetje për gra lehona dhe 11 mijë e 679 shtesa për fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore