Kosova

Kosova buzë kolapsit ekonomik, sipas Tahirit


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka vlerësuar se Kosova aktualisht po kalon nëpër një “krizë të thellë” sikurse në rrafshin politik të brendshëm dhe të jashtëm, po ashtu edhe në aspektin ekonomik, derisa ka bërë thirrje në drejtim të autoriteteve që të intervenojnë, posaçërisht në sektorin privat.

Tahiri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” të shtunën në mbrëmje, ka konsideruar se “ekonomia kosovare është buzë kolapsit”, sepse sipas tij, “sektori privat është duke u ballafaquar me vështirësitë më të mëdha që i ka pasur në dhjetë vitet e fundit”, duke iu rrezikuar edhe ekzistenca.

“Problemet e shkaktuara nga qeveria, tash e tri vjet, pra me mos shfrytëzimin e më shumë se 1 miliard euro për t’i futur në qarkullim, politikat ekstremisht të gabuara fiskale, tatimore dhe mosthithja e investimeve të huaja, është kah e rrezikon secilin investim në sektorin privat”, ka theksuar ai, derisa ka kërkuar intervenimin e ekzekutivit para se të bëhet vonë.

“Sektori privat në Kosovë është duke hyrë në një periudhë kohore shumë të padefinuar, është në mjegull dhe në rrezik të ekzistencës së tyre. Është tejet e rëndësishme që qeveria të ulet e të bisedojë me sektorin privat se si të dilet nga kjo krizë, e cila e ka prek secilin aktivitet të biznesit të vogël, të mesëm dhe të korporatave”, ka shtuar deputeti Tahiri.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Në ndërkohë po vazhdon edhe “ping-pongu” se kush ka më shumë faj. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore