Bota

Kore e Jugut/ Komunitetet e peshkimit, kundër derdhjes së ujit tё ndotur të Japonisё


Komunitetet e peshkimit nё Korenё e Jugut janë të shqetёsuara pas planit të Japonisё pёr lёshimin e ujёrave të ndotur nga Fukushima. Sipas tyre, kjo do tё ndotё detet, përpos premtimeve se substancat radioaktive do tё pastrohen.

Muajin e kaluar, Japonia njoftoi se po projektonte nxjerrjen e më shumë se një milion ton ujërave të ndotura nga katastrofa e Fukushima, në Oqeanin Paqësor.

Grupet e peshkimit në Korenë e Jugut kanë dёrguar flota anijesh nё det, duke valёvitur flamuj nё formё proteste.

“Kur të shkarkohet uji i ndotur nga Fukushima, njerëzit do të shmangin prodhimet e detit dhe peshkatarët do të humbasin vendet e tyre të punës”, tha 73-vjeçari Lee Dong-ho pёr Al Jazeera, i cili ka peshkuar pёr 40 vite nё brigjet jugore tё Koresё sё Jugut.

Muajin e kaluar, koalicioni i 25 organizatave tё peshkimit i ka dёrguar njё letёr ambasadёs japoneze.

“Industria jonë do të dёmtohet rёndё pas shqetësimeve tё njerëzve pёr ndotjen e mundshme radioaktive të produkteve detare”, shkruhej nё tё.

Qeveria japoneze njoftoi planin për të ftohur reaktorët në Fukushima, qëkur termocentrali u shkatërrua në tsunami nё vitin 2011. Njoftimi i 13 prillit u shoqёrua me kundërshtime nga Kina dhe Koreja e Jugut dhe javë të tëra protestash nё Seul.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në vitin e fundit të mandatit të tij pesëvjeçar, doli fuqimisht kundër vendimit të Tokios, duke bërë thirrje që zyrtarët t’u drejtoheshin mjeteve ligjore për të bllokuar Japoninë nga shkarkimi i ujërave të ndotura.

Guvernatorët e ishullit Jeju, Provinca Gyeongsang, kryetarët e bashkive të Busan-it dhe qytete të tjera po bëjnë thirrje që Japonia të braktisë planin e saj dhe që qeveria kombëtare e Koresë së Jugut të veprojë me urgjencë më të madhe.

Japonia këmbëngul se ujit i janё hequr substancat e dëmshme radioaktive dhe planifikon ta lëshojë atë brenda dy viteve.

Sipas vlerësimeve, do të duhet të paktën një vit, që ujërat e zeza të arrijnë në zonat e peshkimit të Koresë së Jugut, por disa thonë se mund të duhen më pak se 200 ditë nga data e shkarkimit, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.

Çfarё ka ndodhur?

Kur cunami goditi stacionin elektrik Fukushima-Daiichi, tre nga gjashtë reaktorët e tij u shkrinë.

Materiali bërthamor i shkrirë duhet të ftohet vazhdimisht nga oqeani dhe uji i shiut, përndryshe do të nxehet dhe do të shpërthejë. Por, gjatë procesit të ftohjes, uji ndotet me radionuklide të dëmshme dhe bëhet radioaktiv.

E barabartё me rreth 500 pishina olimpike, uji aktualisht ruhet në rezervuarë përreth uzinës. Tokyo Electric Power Company(TEPCO), kompania që drejton stacionin e energjisë, thotë se po mbaron hapësira.

Sipas qeverisё japoneze, mënyra më e mirë për t’u marrë me ujin është lëshimi ngadalë i tij në Oqeanin Paqësor, për një periudhë 30-vjeçare.

TEPCO pranoi në vitin 2018 se sistemi ALPS nuk kishte arritur të pastronte në mënyrë adekuate ujin nga radionuklidet e rrezikshme që shkaktojnë kancer dhe ambientalistët pretendojnë se shkarkimi i planifikuar, mbart rreziqe të mëdha që kërkojnë studim të mëtejshëm.

Japonia ka thënë se, procesi i shkarkimit do të monitorohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, IAEA, e cila ka mbështetur planin e Tokios.

Ligji i mjedisit

Para zhvillimit të ligjit ndërkombëtar modern mjedisor, detet konsideroheshin si një kosh plehrash.

Shkarkimi i ujërave të ndotura të Fukushima në Oqeanin Paqësor do të shkelte ligjin ndërkombëtar, sipas ekspertëve.

Konventa e vitit 1972 nё Londёr dhe protokolli pasues i vitit 2006, në të cilin Japonia është nënshkruese, kërkojnë të “parandalojnë ndotjen e mjedisit detar të shkaktuar nga derdhjet në dete”.

Shtetet e Bashkuara kanë dalë në mbështetje të planit të Tokios, për sa kohë që mbikëqyrja sigurohet nga IAE.

Seul ndёrkohё po tregohet i kujdesshëm me Uashingtonin, pasi kërkon ndihmë nga administrata e Biden-it për ndërtimin e paqes me Korenë e Veriut dhe pёr betejën e saj kundër Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore