Lajme

Fukushima/ Japonia miraton derdhjen e ujërave të ndotur në oqean


Më shumë se një milion tonë ujë i ndotur do të derdhet nga Fukushima në det. Ky është vendimi që ka marrë Japonia.

Uji do të trajtohet dhe do të hollohet, në mënyrë që nivelet e rrezatimit të jenë nën ato të vendosura për ujin e pijshëm.

Por vendasit, industria e peshkimit, si dhe Kina e Koreja e Jugut e kanë kundërshtuar me forcë këtë. Tokio ndërkaq ka bërë me dije se puna për lëshimin e ujit, të përdorur për të ftohur karburantin bërthamor, do të fillojë për rreth dy vjet.

Miratimi përfundimtar erdhi pas shumë debatesh dhe pritet të kalojnë dekada për ta përfunduar.

Ndërtesat e reaktorëve në termocentralin e Fukushimës u dëmtuan nga shpërthimet e hidrogjenit. Këto, të shkaktuara nga tërmeti dhe tsunami i vitit 2011. Tre reaktorë u mbinxehën dhe u shkrinë pjesërisht në ditët që pasuan.

Më shumë se një milion ton ujë është përdorur për të ftohur reaktorët e shkrirë. Aktualisht, uji radioaktiv trajtohet në një proces kompleks filtrimi, që heq shumicën e elementeve radioaktive.

Por disa mbeten, përfshirë tritiumin, i cili konsiderohet i dëmshëm për njerëzit vetëm në doza shumë të mëdha. Më pas, ai ruhet në depozita të mëdha.

Operatori i uzinës Tokyo Electric Poëer Co (TepCo) ka bërë me dije se po i mbaron hapësira. Rezervuarët e tanishëm pritet të mbushen deri në vitin 2022.

Rreth 1.3 milionë ton ujë radioaktiv, i mjaftueshëm për të mbushur 500 pishina me madhësi olimpike, janë aktualisht të depozituara në këto rezervuarë, sipas një raporti të Reuters.

A ka kundërshtim?

Grupet mjedisore, si Greenpeace, kanë shprehur prej kohësh kundërshtimin e tyre për lëshimin e ujit në oqean. OJQ-ja tha se planet e Japonisë për të lëshuar ujin tregoi edhe njëherë dështimin e qeverisë ndaj njerëzve të Fukushimës.

Industria e peshkimit në Japoni gjithashtu ka argumentuar kundër saj, e shqetësuar se konsumatorët do të refuzojnë të blejnë prodhime nga rajoni.

Industria u godit jashtëzakonisht rëndë pas katastrofës së vitit 2011, me shumë vende që ndaluan importin e ushqimit të detit, të kapur në brigjet veri-lindore të Japonisë.

Vendimi ka nxitur gjithashtu kritika nga fqinjët e Japonisë. Përpara vendimit, ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut të hënën shprehu “keqardhje serioze” për këtë vendim.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Zhao Lijian, gjithashtu i kërkoi Japonisë të “veprojë në mënyrë të përgjegjshme”.

“Për të mbrojtur interesat publike ndërkombëtare, shëndetin dhe sigurinë e popullit kinez, Kina ka shprehur shqetësim të madh për palën japoneze përmes kanalit diplomatik”, tha Zhao.

“Shtetet e Bashkuara duket se mbështesin vendimin e Japonisë, edhe pse duhej, sipas tyre, një qasje në përputhje me standardet e pranuara globalisht të sigurisë nukleare”, vijoi Zhao.

Sa i sigurt është uji?

Japonia argumenton se çlirimi i ujërave të zeza është i sigurt, pasi përpunohet për të hequr pothuajse të gjithë elementët radioaktivë dhe do të hollohet shumë.

Plani ka mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, e cila thotë se çlirimi është i ngjashëm me asgjësimin e ujërave të ndotura në impiantet e tjera nëpër botë.

“Lirimi në oqean është bërë dhe gjetkë. Nuk është diçka e re. Nuk ka asnjë skandal këtu”, tha drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Mariano Grossi në 2021.

Shkencëtarët argumentojnë se elementët e mbetur në ujë janë të dëmshëm vetëm për njerëzit në doza të mëdha. Me hollimin, uji i trajtuar nuk paraqet rrezik të zbulueshëm shkencërisht, thonë ata.

Ndërsa tritiumi është radioaktiv, ai ka një gjysmë jetë rreth 12 vjet, që do të thotë se do të zhduket nga mjedisi për një periudhë dekadash jo shekujsh.

Shkencëtarët gjithashtu theksojnë se shumë më shumë rrezatim është lëshuar në Paqësor nga testet e armëve bërthamore të kryera nga SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca gjatë viteve ’40, ’50 dhe ’60.

Çfarë ndodhi në Fukushima?

Më 11 mars të 2011, një tërmet me madhësi 9.0 ballë, goditi brigjet verilindore të Japonisë, duke shkaktuar një tsunami 15 metra të lartë.

Ndërsa sistemet rezervë për të parandaluar një shkrirje në uzinën bërthamore Fukushima i mbijetuan tërmetit fillestar, dëmet e mëtejshme u shkaktuan nga tsunami.

Sistemet e ftohjes së objektit dështuan në ditët që pasuan dhe u lëshuan tonelata materialesh radioaktive. Shkrirja ishte aksidenti më i rëndë bërthamor që nga Çernobili në 1986.

Rreth 18 mijë e 500 njerëz vdiqën ose u zhdukën në tërmet dhe tsunami, dhe më shumë se 160 mijë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore