Kosova

Kongresi amerikan miraton Rezolutën për vëllezërit Bytyqi: Ky rast do përcaktojë raportet e ardhshme SHBA – Serbi


Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Rezoluta e kongresit amerikan për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi nga Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan ka kërkuar që personat përgjegjës për vrasjet e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit në korrik të 1999 në Serbi duhet të sillen para drejtësisë.

Përmes kësaj rezolutë është dënuar fakti që akoma asnjë individ nuk është shpallur fajtor ndonjëherë për vrajsen e tyre, apo edhe për ndonjë krim tjetër që lidhet me vdekjen e tyre dhe gjithashtu që asnjë person nuk po përballet me akuza për një krim të tillë të tmerrshëm.

Në pikën tre të Rezolutës thuhet se, “Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë edhe Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur ndaj atyre zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarëve që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte”.

Në pikën katër kërkohet se SHBA-ja duhet të ofrojë burime të mjafueshme për të ndihmuar dhe për të monitoruar përpjekjet e Qeverisë së Serbisë dhe ministrave për të hetuar dhe ndjekur penalisht sa më shpejtë të jetë e mundur ata persona që besohet se janë të përfshirë në vdekjen e tyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Ndërsa, në pikën e fundit thuhet se progresi në zgjidhjen e këtij rasti duhet të mbetet faktor i rëndësishëm.

“Progresi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në pikën pesë të Rezolutës që është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Rezoluta për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, ishte dorëzuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan më 29 korrik të vitit 2021.

Rezoluta ka marrë 423 vota “pro”, 1 kundër, derisa s’kanë votuar 6.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe familja Bytyqi përmes llogarisë në rrjetin social ‘Twitter’.

“Dhoma e Përfaqësuesve sapo miratoi Rezolutën e Vëllezërit Bytyqi, duke vendosur se ‘progresi në zgjidhjen e rastit, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë.”, duke falënderuar edhe politikanin amerikan Lee Zeldin që e ka sponzorizuar Rezolutën”.

Vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjithashtu kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 22 vjet më parë nga njësitë speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë.

Trupat e tyre janë gjetur më vonë në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, e cila është kontrolluar nga Goran Radosavljeviç – Guri. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë, ishin bashkuar ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe përfundimit të luftës në vitin 1999, ata u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Pasi qëndruan në burg për 15 ditë, ata u liruan, por policia serbe i dërgoi ata në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore