Shqipëria

Komisioni Hetimor shqyrton provat filmike të AMA-s për shkarkimin e Metës


Të hënën e 17 majit është mbledhur sërish Komisioni Hetimor ndaj presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e cila sot do të paraqesë provat filmike të shkeljeve kushtetuese në deklaratat e tij për media.

Alket Hyseni, deputeti socialist, njëkohësisht kryetari i Komisionit, ka deklaruar se AMA ka vënë në dispozicion një numër të madh CD, si prova filmike të shkeljeve. Në dosjen kompjuterike të videove numërohen dhjetë të tilla, të cilat po transmetohen me radhë.

Komisioni i Posaçëm për hetimin e shkeljeve të presidentit po shqyrton administrimin e këtyre videove si prova.

Hyseni ka deklaruar në përfundimin e tyre, se këto janë videot e para që do transmetohen para Komisionit Hetimor. Më tej ai shtoi se të gjitha provat e plota do të vihen në dispozicion të panelit.

Sakaq, përpara Komisionit Hetimor u shfaqën dhe pamje nga statuset e shkruara në platformën Facebook të presidentit Meta.

Pjesë e këtij komisioni janë nëntë anëtarë. Zëvendëskryetar është përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi. Sekretare e komisionit ndërkaq është socialistja Klotilda Bushka.

Anëtarë të tjerë të komisionit janë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Më herët, pamjet filmike të presidentit dhe thirrjeve të tij janë kërkuar si prova shqyrtimi.

Ky komision i posaçëm, në fund të punës së tij, do t’i paraqesë Kuvendit një raport. Ky i fundit, nëse e voton shkarkimin e Metës, e çon çështjen më pas në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja është ajo që ka vendimin përfundimtar mbi fatin politik të presidentit, nëse ai qëndron në detyrë apo jo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore