Lajme

Knezheviç i jep mbështetje Vuçiç-it dhe SNS-së për zgjedhjet e 17 dhjetorit


Milan Knezheviç

Presidenti i Partisë Popullore Demokratike (DNP) në Mal të Zi, Milan Knezheviç, njëherit njëri nga liderët e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – ka mbështetur Partinë Progresive Serbe (SNS), në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale në Serbi, të cilat pritet të mbahen më 17 dhjetor.

“Në emër të DNP-së, anëtarëve, zyrtarëve, simpatizantëve dhe votuesve, si dhe në emrin tim personal, dua t’ju shpreh mbështetjen time të plotë për ju në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale”, ka thënë Knezheviç në një letër mbështetëse drejtuar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe liderit të SNS-së, Millosh Vuçeviç.

Knezheviq, siç raporton DNP, ka thënë se “është i bindur se listat zgjedhore e SNS-së do të marrë mbështetjen e shumicës së qytetarëve të Serbisë”.

“Politika shtetërore që keni zbatuar në periudhën e kaluar bazohet në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, neutralitetit ushtarak, zhvillimit të përshpejtuar ekonomik dhe kujdesit institucional për kategoritë më të cenueshme sociale”, theksoi Knezheviç.

Kjo, sipas tij, “meriton respekt”, por edhe “mbështetjen e çdo personi për të cilin këto vlera janë baza e patriotizmit”.

“Prandaj, pa hezitim, shpreh gatishmërinë time për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit ndërpartiak në periudhën e ardhshme dhe për të ndërtuar bazat për marrëdhëniet më të mira mes dy vendeve vëllazërore”, shtoi ai.

Partia Progresive Serbe në fushatën elektorale për zgjedhjet e 17 dhjetorit, ka bërë përpjekje maksimale që të mobilizojë të gjithë serbët që jetojnë jashtë Serbisë, për të maksimalizuar kështu votën e nacionalistëve serbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore