Lajme

Kirurgu italian në gjyq për transplantet eksperimentale të laringut


Paolo Macchiarini

Një ish-shkencëtar italian ka dalë në gjyq në Suedi, pas akuzave për sulm ndaj pacientëve duke kryer transplantim të laringut.

Paolo Macchiarini dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e tre personave, mbi të cilët ai operoi midis viteve 2011-2014. Ai ka mohuar çdo shkelje kriminale.

Paolo Macchiarini fitoi lëvdata në vitin 2011, pasi pretendoi se kishte kryer transplantin e parë sintetik të trakesë në botë, duke përdorur qeliza staminale, ndërsa ishte kirurg në Institutin Karolinska të Stokholmit.

Procedura u përshëndet si një përparim në mjekësinë rigjeneruese.

Por, shumë shpejt, u shfaqën pretendimet se procedura e rrezikshme ishte kryer për të paktën një person që nuk kishte qenë i sëmurë rëndë në kohën e operacionit.

63-vjeçari doli në gjykatë të mërkurën, ku dëgjoi audion e përkthyer teksa prokurorët renditën akuzat për “sulm të rëndë” ndaj tre pacientëve.

Instituti Karolinska ka konfirmuar se të tre individët kanë vdekur që atëherë, por nuk i lidhin drejtpërdrejt vdekjet me operacionet.

“Macchiarini e ka kryer operacionin me shpërfillje të plotë për shkencën dhe përvojën e provuar”, tha prokurorja Karin Lundström-Kron në gjykatë.

Ndërsa prokurorët paraqitën rastin e tyre, ata iu referuan shqyrtimeve të jashtme dhe të brendshme të rastit, duke përfshirë një të botuar në vitin 2016 nga mjeku Kjell Asplund, i cili argumentoi se Macchiarini nuk duhej të ishte punësuar kurrë nga Karolinska.

“Është e qartë se kjo metodë nuk ka funksionuar”, tha prokurori Jim Westerberg, i cili shtoi se Macchiarini kishte zbukuruar përfitimet e procedurës.

Macchiarini, që mbajti shënime pa shfaqur shumë emocione, ka thënë se operacionet përbëjnë trajtime dhe jo eksperimente, duke mohuar të jetë përgjegjës penalisht.

“Ai pretendon se ka kryer kujdes shëndetësor, ka shëruar dhe ka ndihmuar”, tha avokati i Macchiarini, Bjorn Hurtig.

Prezantimi i provave nga prokuroria pritet të vazhdojë për disa ditë, kështu që mbrojtja nuk ka gjasa të paraqesë anën e saj deri në javën e ardhshme.

Por Hurtig tha se ata kishin “shpresa të mëdha” se do të ishin në gjendje t’i kundërshtonin provat e prokurorisë.

“Ka mjaft boshllëqe në ato prova dhe ka shumë prova, për të cilat argumentojmë se janë të favorshme për këndvështrimin tonë për gjërat”, tha ai.

Në vitin 2013, spitali Karolinska pezulloi të gjitha transplantet dhe refuzoi të zgjaste kontratën e Macchiarinit si kirurg.

Një vit më vonë, disa kirurgë në spital paraqitën një ankesë, duke pretenduar se Macchiarini kishte minimizuar rreziqet e procedurës.

Një rishikim i jashtëm në vitin 2015 e shpalli Macchiarinin fajtor për sjellje të pahijshme kërkimore, por pavarësisht shkarkimit të tij, Instituti Karolinska e mbrojti vazhdimisht deri në vitin 2018, kur e shpalli atë dhe disa studiues të tjerë fajtorë.

Drejtori i universitetit dha dorëheqjen për shkak të skandalit, kurse në vitin 2018, revista mjekësore “Lancet” tërhoqi dy punime me autor Macchiarini.

Gjyqi, i mbajtur në gjykatën e qarkut Solna pranë Institutit Karolinska, është planifikuar të zhvillohet për 13 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore