Shqipëria

Kingji falënderon SHBA-të për organizimin e Defender 2023: Synojmë një stërvitje sa më të suksesshme 


Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, deklaroi se autoritetet synojnë një stërvitje sa më të suksesshme gjatë Defender Europe 2023 në vendin tonë.

Fillimisht shefi i shtabit falënderoi “aleatët tanë strategjikë” për organizimin e stërvitjes vjetorë Defender Europe 2023 në Shqipëri.

Kjo e fundit, sipas tij, është dëshmi e prekshme e aftësisë sonë për të punuar së bashku kundër kërcënimeve të mundshme dhe dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit mes vendeve tona.

Stërvitja në thelb për Kingjin është edhe një mesazh për kundërshtarët tanë të mundshëm “që ne jemi të përgatitur dhe të bashkuar për të përballuar sfidat e përbashkëta”.

Gjatë saj do të organizohen disa aktivitete stërvitore që plotësojnë tre komponentë: tokësorë, ajror dhe detar, shtoi kryekomandanti.

“Kjo stërvitje është vetëm njëra prej elementëve të bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik. Garda Multinacionale e Jugut është gjithashtu strukturë në të cilën janë angazhuar trupa nga Republika e Kosovës, Kroacia, Sllovenia dhe Rumania”, theksoi në përmbyllje Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Shqipëria do të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23” ku rreth 24 mijë trupa shumëkombëshe do të jenë pjesëmarrëse, duke e bërë atë më të madhin në historinë e vendit si aleat i NATO-s.

Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe do të zhvillohet në Tiranë nga data 22 maj deri më 3 qershor.

Stërvitja “Defender Europe” është një stërvitje vjetore, shumëkombëshe, e përbashkët në shkallë të gjerë, në shkallë të gjerë, e drejtuar nga SHBA-të, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi më herët se Shqipëria do të luajë rol kyç në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

“Nis stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s. Shqipëria, si partner i besueshëm dhe si nyje strategjike e sigurisë rajonale, do të luajë një rol kyç në këtë stërvitje të rëndësishme, duke treguar angazhimin tonë maksimal për paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkruan kreu i Qeverisë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se më 22 maj do të nisë stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-ve, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s.

“Shqipëria, si partner i besueshëm dhe si nyje strategjike e sigurisë rajonale, do të luajë një rol kyç në këtë stërvitje të rëndësishme. Krenarë për këtë rol, duke treguar mbështetjen dhe angazhimin tonë maksimal për të gjithë ushtarakët dhe personelin që janë pjesë e këtij misioni të rëndësishëm”.

Sipas tij, “bashkëpunimi dhe mbështetja jonë, thelbësore për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Dy vite më parë, Tirana ishte një nga organizatorët e “Defender-Europe 2021”, stërvitja në shkallë të gjerë që përfshinte 30 mijë trupa amerikane dhe forca të NATO-s nga 26 vende, e cila filloi më 4 maj dhe vazhdoi deri në qershor me disa stërvitje të lidhura në të gjithë kontinentin.

Kjo ishte stërvitja e parë e madhe nën komandën e ushtrisë së re të kombinuar të SHBA-ve në Evropë dhe Afrikë dhe u fokusua në demonstrimin e aftësisë së komandës për të shërbyer si komandë e komponentit tokësor të forcave të kombinuara/përbashkëta për operacione luftarake në shkallë të gjerë në tokë nëpër teatro të shumtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore