Lajme

Kerry viziton superfuqitë evropiane për çështjet e klimës


I caktuari i posaçëm i presidentit për çështjet e klimës në SHBA, John Kerry, do të udhëtojë drejt Italisë, Britanisë dhe Gjermanisë, për të folur mbi çështjet e klimës.

Të enjten e 19 majit, Kerry do të nisë bisedime mbi “rritjen e ambicies globale klimatike”. Kjo lëvizje, vjen muaj përpara samitit klimatik të Kombeve të Bashkuara, i cili zhvillohet në nëntor.

Kerry do të zhvillojë së pari takime me zyrtarë të lartë të vendeve. Më pas, do të jetë radha e biznesmenëve, për të qenë pjesë e bisedimeve klimatike. Një takim të posaçëm do të ketë edhe me përfaqësues të Vatikanit.

Vizitën e ka konfirmuar edhe vetë Shtëpia e Bardhë.

Muajin e shkuar, SHBA-të dhe vende të tjera, rritën gatishmërinë e tyre për të ulur emisionet e dyoksidit të karbonit në ajër.

Një qasje e re amerikane drejt kësaj rruge, është shfaqur nga administrata Biden. Kjo, që prej ardhjes në detyrë të presidentit të ri të SHBA-ve.

Këto të fundit, po kërkojnë të rikthehen në majën e luftës kundër ngrohjes globale – një luftë të cilës ish-presidenti Donald Trump, nuk i kushtoi shumë vëmendje. Madje, ky i fundit e nxorri Amerikën nga traktati i Parisit, një ndër më të rëndësishmit në çështjet klimatike.

Me ardhjen e Biden-it, ndër aktet e para diplomatike, ishte pikërisht rikthimi i amerikanëve në këtë traktat.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore