Lajme

KEK-u ndalon prodhimin e energjisë nga një bllok i Kosovës A


Foto: Ilustrim.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka bërë të ditur se nga 29 janari dhe për gati një muaj, njësia A-3 e Termocentralit Kosova A, do të jetë jashtë operimit.

Këtë e konfirmoi për Albanian Post, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.

“Në ora 00:00 dt. 29.01.2022 njësia A-3 e TC Kosova A është nxjerre nga operimi dhe sipas planit pritet të ri-kthehet në operim me dt.27.02.2022 ora 00:00”, deklaroi Bucolli.

Ai bën të ditur se KEK-u po vazhdon operimin sipas kapaciteteve që ka.

“KEK-u është duke operuar me kapacitete të plota dhe si zakonisht ndërprerja e operimit ka qenë e paraparë”.

Ndërsa, shtoi se KEK-u vazhdon të operojë sipas planifikimit me dy njësi të Kosovës B dhe dy të Kosovës A.

“Konform bilancit energjetike të aprovuar, KEK do të vazhdojë të operojë me dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MË/h energji elektrike”.

“Po ashtu sipas rregullave të operimit kompania përgjegjëse për furnizimin e konsumatorëve universalë si dhe të gjitha palët e interesit janë njoftuar me kohë”, tha ai.

Korporata Energjetike e Kosovës

Ndërsa, shtrenjtimi i tarifave të rrymës dh qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me situatën me energjinë elektrike është arsyeja që e ka detyruar Partinë Socialdemokrate të organizojë një protestë këtë të shtunë me fillim në orën 14:00.

Edhe më 26 janar, të frustruar me rritjen e çmimit të rrymës dhe qasjen e kryeministrit të Kosovës, qytetarët kanë protestuar në Prishtinë duke brohoritur “Albin mashtruesi”, “Albin rrenci”.

Etiketat “rrenc” dhe “mashtrues” i janë mveshur Kurtit meqë sa ishte në opozitë thoshte se rryma është shumë shtrenjtë dhe premtonte uljen e çmimit, derisa tash po deklaron se “aq lirë ka qenë rryma sa qytetarët nuk e kanë ditur as sa po u vjen fatura”.

Qeveria e Kosovës, ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi për qytetarët edhe bizneset.

Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, të cilat edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet nuk do të kenë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas ekzekutivit, rritja e faturave për bizneset do të kishte ndikim negative në ekonomi.

“Ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Në këtë mënyrë do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore