Lajme

Kosovë: Protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike


PSD gjatë përgatitjeve për protestë: “Me popull edhe rrymë nuk luhet se djegësh”

Shtrenjtimi i tarifave të rrymës, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me situatën me energjinë elektrike dhe arroganca e kryeministrit, Albin Kurti, për këtë problem, janë arsyet që e kanë detyruar Partinë Socialdemokrate që të organizojë një protestë këtë të shtunë me fillim në orën 14:00.

Kryetar i PSD-së, Dardan Molliqaj, në paralajmërim të protestës ka ftuar të gjithë qytetarët dhe të gjitha partitë opozitare që ta përkrahin protestën dhe t’i bashkohen asaj, duke deklaruar se demonstrimi nuk duhet të nënkuptohet si nismë e një partie, por si shqetësim i përgjithshëm qytetar.

Për këta arsye ka bërë të ditur se ka takuar e komunikuar me të gjithë liderët e partive opozitare për t’u akorduar rreth protestës.

“Ne ftojmë secilin qytetar të Republikës së Kosovës, partitë opozitare, organizatat e shoqërisë civile, e kushdo çoftë tjetër që ndan bindjet e njëjta me ne të marrin pjesë në protestë”, ka deklaruar Molliqaj në konferencë për media.

Para kësaj proteste PSD-ja organizoi edhe një aksion te hyrja e objektit të Qeverisë së Kosovës, ku me një baner shkruanin se qeveria është kthyer në zëdhënësin e KEDS-it, duke provuar kështu të shpërfaqin kundërshtimin rreth qasjes së butë të qeverisë në raport me kompaninë private të distribuimit të rrymës.

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-se

Veç PSD-së, protestë, tri ditë më parë, u organizua edhe nga një grup i aktivistëve apartiakë dhe shoqërisë civile.

Por, organizatorët e kësaj proteste kanë refuzuar të marrin pjesë edhe në protestën e PSD-së.

Ata janë shprehur se nuk duan ngjyrim politik dhe kauzën duan ta mbajnë qytetare e jo partiake.

Grupi i qytetarëve të organizuar që funksionon nën parullën “Asnji cent ma shumë”, kanë njoftuar se janë distancuar nga protesta e nesërme kundër shtrenjtimit të rrymës.

“Kjo protestë është e thirrur nga Partia Socialdemokrate. Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur posterë dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm”.

Mosvendosja e ndonjë simboli partiak në posterët e paralajmërimit të protestës është sqaruar nga PSD-ja. Ata kanë deklaruar se arsyeja qëndron te fakti se kërkesa për mos-rritjen e çmimit të rrymës është një shqetësim i të gjithë qytetarëve dhe jo i një partie politike, prandaj thirrja vlen për të gjithë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore