Shqipëria

KAS-i shfuqizon gjobat ndaj Veliajt


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka shfuqizuar gjobat e vendosura ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi u mor me shumicë votash, në mbledhjen e datës 16 shkurt 2021.

Shfuqizimi u bë për dy sanksione të vendosura. Njëri në masën 35 mijë lekë, për shkeljen e nenit 92 pikat 1,2 dhe 3, të Kodit Zgjedhor. Masa tjetër ndërkohë, ishte në masën 40 mijë lekë, për shkeljen e nenit 3, paragrafi 1.3 shkronja b, të vendimit nr. 9, datë 24.12.2020.

Tre pikat e para të nenit 92, kanë të bëjnë me raportimin e veprimtarisë me karakter publik, që institucionet vendore janë të detyruara të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më 9 shkurt, Veliaj u sanksionua me 75 mijë lekë në tërësi për dy vendimet e lartpërmendura. Denoncimi ndaj kryebashkiakut  u bë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ishte ai që miratoi kërkesën e LSI-së për gjobëvënie.

Ky vendim i KAS-it tashmë, jep një qasje mbi funksionimin e strukturave të reja të ndërtuara nga KQZ-ja. KAS-i është i pavarur dhe si strukturë më vete e komisionit. Vendimi i marrë nga ky komision, mund të apelohet sërish në Kolegjin Zgjedhor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore